Edi Rama për deklaratën mbi KFOR-in që shkaktoi shumë polemika: Këtë kërkesë e ka bërë edhe presidentja Osmani - NACIONALE

Edi Rama për deklaratën mbi KFOR-in që shkaktoi shumë polemika: Këtë kërkesë e ka bërë edhe presidentja Osmani

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dalë me një reagim të gjatë, pas kritikave në lidhje me deklaratën e tij mbi trupat e misionit të NATO-s në veri, i cili u akuzua se ka qëndrime të njëjta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, rreth marrjes në kontroll të KFOR-it në veri.

Rama në një shkrim në Twitter ka deklaruar që edhe dje e bëri të qartë se kërkesën e njëjtë e ka bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, “nuk jemi akoma aty” dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë.” – është shprehur ai.

Po ashtu, Rama ka porositur që “ata në Prishtinë” të fokusohen në maksimum për sfidën e jashtëzakonshme, e jo “të fryhen në Facebook".

Atyre në Prishtinë që në vend se të fokusohen 100% tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për “Republikën e KFOR-it”, u kujtoj sot se:

1. KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundraze një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi!

2. Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, “nuk jemi akoma aty” dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë.

3. E di çdokush të vërtetën e thjeshtë fare se në çdo rast dhe për çfarëdo nevoje të re operacionale në territorin e Kosovës, KFOR-i i harmonizon veprimet e veta me autoritetet shtetërore të Kosovës e me forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, prandaj është sa e dhimbshme, aq edhe qesharake, që edhe në këtë situatë kaq serioze për sigurinë në veriun e Kosovës, politikanë me profile publike apo me profile fallco në Prishtinë merren me të tilla manipulime të ulëta emocionesh të qytetarëve të tyre, duke deformuar qëllimisht qëndrimet e mia. Keqardhje për ta, se për trimat e biznesit politik e mediatik të Tiranës, që janë gati t’ia venë zjarrin vetë Kosovës, bashkë me Shqipërinë për përmbysjen imagjinare të “regjimit” tim, nuk kam asnjë sekondë për të humbur!” – ka shkruar ai.

Ndërkohë, Nacionale dje në një artikull e ka shpjegur se çfarë tha në të vërtetë kryeministri shqiptar.

“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë. E kam bërë edhe në samitin e NATO-s. Dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Tani, çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe me argumentin e orëve të fundit – jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupat – mund ta bëjë larg qoftë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më t’madhe në trupa po dhe në vështirësi.” – thotë ai (dëgjo nga minuta 22:59 deri më 23:50)

Për fat të keq disa media nuk e kanë transkriptuar atë që e ka thënë Rama në mënyrën e saktë, duke kërcyer menjëherë në një pjesë tjetër.

Në anën tjetër, duhet thënë se të njëjtën gjë efektivisht e ka thënë edhe kryeministri ynë Albin Kurti për gazetën gjermane Die Ëelt, por edhe në raste të tjera. Madje, në po të njëtjën konferencë, të njëjtën gjë, e përsërit edhe Edi Rama.

“Më vjen mirë që këtë tanimë e kërkon edhe Kosova. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtoj,” – u shpreh ai.

Ai më pas u pyet nga një gazetare në lidhje me deklarata të mëparshme ku vetë Rama kishte shprehur frikën se Kosova mund të rrëshqiste në humbje të kontrollit të saj në veri dhe në trupa të KFOR-it shtesë.

“Nuk jemi akoma aty, po mund të shkojmë aty... E shikoni ju se çfarë ndodh. E thashë, nuk duhet ndonjë farë mençurie e veçantë apo ndonjë dhunti për të parë të ardhmen. Duhet vetëm përqendrim tek vija historike dhe vija e aktorëve në fushë për të parë se si do të shkojnë gjërat. Nuk ka ndryshe... ” – u përgjigj ai nga minuta 33:48 deri në minutën 35:27.

Lajme të ngjashme