Edhe një “tomahawk” e Qeverisë ndaj medies, Kurti s’lëshon pe ende për zgjedhjet serbe – top ngjarjet e 21 marsit
Edhe kjo përmbledhje e ngjarjeve ditore, sikurse ajo e mesit të javës së kaluar, ka për krye-temë goditjen e pushtetit ndaj medies. 21 marsi shënoi sulmin e radhës ndaj portaleve nga ana e Qeverisë Kurti. Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, i cilësoi hiç më pak se ‘kompani të kriminalizuara’. E si gjithmonë ndaj këtyre etiketimeve ka reaguar AGK e shumë gazetarë e analistë, të cilët e kanë cilësuar deklarimin e Dalipit si sulm ndaj medies dhe fjalës së lirë.
Ndaj deklaratave të Dalipit pati edhe reagime nga komuniteti i gazetarëve. Drejtori i portalit Insajderi ka ironizuar me Dalipin duke thënë se ai së bashku me burrin e Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriun, do të ishin të suksesshëm si këshillëtar të presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Llukashenko.
Ndërkohë kolegu i Ollurit, Vehbi Kajtazi ka thënë se Shefi i stafit të Kurtit ka “vjedhur” sot vëmendjen e opinionit publik pas një sulmi tjetër mbi mediat vendore.
Në mbrëmje, Kurti foli rreth punës së lejimit të votimit në zgjedhjet serbe në Kosovë, të cilat do të mbahen më 3 prill.
Në një takim virtual me ambasadorët e QUINT-it, Kurti deklaroi se për t’u mbajtur zgjedhjet e Serbisë në Kosovë duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet dy vendeve.
E sotmja u karakterizua edhe me deklaratat e Kryeprokurorit në largim Aleksandër Lumezi, i cili ka folur rreth mandatit të tij në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme në vend.
Ai tha se përgjatë kësaj kohe, Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim sa i përket luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, përcjell Gazeta Nacionale.
Por, ai pati rezerva kur tha se disa prej gjyqtarëve nuk i kanë kryer me përgjegjësi detyrat e tyre, përkundër faktit se sipas tij kanë dorëzuar prova të mjaftueshme.
“Jemi te pakënaqur me dënimet e shqiptuara nga Gjykatat, por nuk mund te themi se nuk kemi paraqitur fakte”, shtoi ai.
Përtej kësaj, Lumezi ka folur edhe rreth rezultateve të prokorurisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Gjatë mandatit tim ka qenë e rëndësishme luftimi i e krimit të organizuar, korrupsionit, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, që ka qenë një kusht i rëndësishëm për ne”, tha ai.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti sot ka dhënë një intervistë tetë minutëshe për BBC Radio. Kurti ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Ukarainë dhe me mundësinë që konflikti i atjeshëm të eskalonte edhe në Kosovë.
I pyetur për këtë çështje, Kurti u shpreh se “...dikur, Moska na përmendte një herë në muaj, e tash po na përmend disa herë në javë, çdo të dytën ditë, dhe unë besoj që ata duan ta keqinterpretojnë intervenimin e NATO-s në Kosovë.”
Pas këtyre fjalëve, kryeministri vazhdoi duke sulmuar pozicionin e Serbisë karshi Rusisë dhe më saktë mungesën e sanksioneve. Sidoqoftë, SHBA-të kishin falënderuar presidentit serb Aleksandër Vuçiqin për pozicionin që kishte mbajtur pas votimit të rezolutës që dënonte agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
E kur u pyet nëse ndihet i kërcënuar, Kurti nuk dha përgjigje direkte.
“Natyrisht, lidhjet historike ekzistojnë, por gjithashtu janë edhe lidhjet aktuale të forta dhe të gjera midis Beogradit dhe Kremlinit, dhe kjo është shumë shqetësuese... sepse është në interesin e Kremlinit që të shpërndajë konfliktin edhe në vende tjera...“, tha Kurti.
E për këtë të fundit, krejt në mbrëmje foli edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese duke thënë se Qeveria Kurti II mund ta ketë të njëjtin fat me atë të parën nëse nuk respekton obligimet ndërkombëtare, teksa fliste për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Zhvillime interesante sot pati edhe në Shqipëri. Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike pas rritjes së trysnisë ndaj tij.
Në një fjalim emocional, ai ka thënë se veprimtaria e tij politike në PD do të vazhdoj.
“Kam vendosur të hedh një hap pas. Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, po një nxitje më shumë që PD-në ta bëjmë të gjithë bashkë. Dua t’i them kujtdo që PD duhet të shohë drejt të ardhmen që jam dhe do jem i angazhuar krah jush”, tha ndër tjerash Basha.
Kurse, kandidati më serioz për të marrë nën udhëheqje kreun e kësaj partie është Sali Berisha.
Zhvillime pati edhe në shtetit tjetër fqinjë, në Mal të Zi. Qeveria në largim atje ka refuzuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe duke refuzuar hapjen e vendvotimeve në Beran, Sutomore dhe Budvë.
Kësisoj, qytetarët serbë që jetojnë në Malin e Zi, do të mund të votojnë në ambasadën serbe në Podgoricë dhe në konsullatën respektive.