Edhe Franca reagon ashpër: Veprime të reja të njëanshme të Kosovës - NACIONALE

Edhe Franca reagon ashpër: Veprime të reja të njëanshme të Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Franca ka reaguar pas operacionit të Policisë së Kosovës në veri gjatë së hënës ku u bastisën disa zyra financiare të të ashtuquajturës “Banka Postare Kursimore”..

Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së franceze, thuhet se janë të shqetësuar me operacionin e fundit,

Po ashtu, Franca i quan veprimet e Kosovës “të njëanshme” dhe thotë se të njëjtat kontribuojnë në eskalimin e situatës.

“Franca është e shqetësuar me operacionet e fundit të policisë kosovare që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në veri të Kosovës. Këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në eskalimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet e vazhdueshme, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Ato ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve.” – thuhet aty.

Në fund të komunikatës shkruan:

“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajojmë të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit e kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”.

Çka ndodhi?

Policia e Kosovës të hënën njoftoi janë mbyllur gjashtë njësi të të ashuquajtures “Banka Postare Kursimore".

Aty, u bë e ditur se janë konfiskuar prova materiale, në mesin e tyre euro, dinarë e dollarë

Në një reagim në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës, BE-ja mes tjerash do t’i shkruante edhe këta rreshta:

“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet më shumë veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit ndërkaq, janë shprehur të zhgënjyer, pasi që sipas tyre, aksioni nuk ka qenë i koordinuar.

"I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj - duke përfshirë ato të minoritetit serb - të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat.” – thuhej në përgjigje.

Lajme të ngjashme