‘E vizitova tri herë’: Kurti mburret për raporte të mira me Britaninë, Escobar foli të kundërtën - NACIONALE

‘E vizitova tri herë’: Kurti mburret për raporte të mira me Britaninë, Escobar foli të kundërtën

1 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Në qershor të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte përfunduar vizitën e tretë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar. Madje, edhe ishte lavdëruar se kjo ishte e treta në dy vite. Tash shefi i Qeverisë e ka realizuar edhe një vizitë atje, pra janë bërë katër. Megjithatë, raportet për të cilat në vazhdimësi thotë se janë të mira, duket të mos jenë krejt ashtu.

Gjatë muajit shkurt, kryeministri Kurti qëndroi për gati 10 ditë në Mbretërinë e Bashkuar. Siç raportoi Nacionale, atje pati ndoshta vetëm një takim të nivelit të lartë, me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar.

Mes tjerash, Kurti gjatë pjesëmarrjes në një organizim atje, Kurti ishte shprehur se “Britania e Madhe nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj”.

“Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje.” – kishte thënë Kurti, duke nënkuptuar pra se s’ia ka kthyer shpinën as Kosovës.

Escobar flet të kundërtën

Tash e një kohë, që prej hyrjes në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila mes tjerash, edhe ndalon pagesat me dinarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur haptas zhgënjimin me Kosovën.

Madje, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier kishte demantuar Kurtin me fjalët “kjo thjeshtë s’është e vërtetë”, pasi ai paraprakisht kishte thënë që raportet mes dy vendeve nuk janë prekur.

Por, Kosovës duket se i janë prekur raportet edhe me vende të tjera. Këta, e tha emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një bisedim me gazetarë.

Dhe në mesin e vendeve që ai përmendi, ishte pikërisht Britania e Madhe që Kurti e vizitoi tri herë vitin e kaluar.

“Partneriteti mes ShBA-së dhe Kosovës është mes popujve të Kosovës dhe ShBA-së. Nuk shkon prej një njeriu, ose një pale. Por, duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin, nuk është veç ShBA-ja, këtë problem Kosova e ka edhe me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe. Edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën.”u shpreh ai.

Vlen të theksohet, se emisari Escobar po qëndron këto ditë për vizitë në Kosovë. Dje ai ka takuar presidenten Osmani, dhe në mbrëmje, edhe partitë opozitare.

Sot ndërkaq, ai nga ora 15:30 pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Lajme të ngjashme