“E shtina alltinë në çantë”, rrëfehet delegati që votoi  kundër suprimimit të autonomisë më 1989 - NACIONALE

“E shtina alltinë në çantë”, rrëfehet delegati që votoi  kundër suprimimit të autonomisë më 1989

4 vjet më parë

nga NACIONALE

E mërkura e 23 marsit shënon 33 vjetorin e suprimimit të autonomisë së Kosovës. Në vitin e 1989, pas shumë muajve të diskutimeve mbi amendamentimin e Kushtetutës së Jugosllavisë, deputetët e Kuvendit nën presionin policisë dhe ushtrisë, votuan për suprimimin e autonomisë.

Në mbledhjen e rëndësishme të marsit të 1989-ës, të pranishëm në mbledhjen e Kuvendit qenë saktësisht 190 delegatë, por vetëm 11 prej tyre votuan kundër këtij akti përkundër rrezikut që mund të sillte vota kundërshtuese.

Sadik Zuka, dikur delegat i Kuvendit të Kosovës nga Vitia, është njëri nga 11 deputetët që votuan kundër amendamenteve kushtetuese të propozuara atë ditë.

Në një rrëfim për gazetën Nacionale, vitiasi tregon përjetimet e atyre ditëve dhe mendimet që i vërtiteshin në kokë.

Zuka, që tash është pensionist, thotë se përkundër rreziqeve, ai kishte vendosur të kundërshtonte suprimimin e autonomisë.

“Para se me u mbajtë mbledhja e Kuvendit, nja dy a tri ditë përpara, na jemi përcaktu që jemi kundër. Kaq kam bërë unë, Kosova ka pasur nevojë edhe më shumë. I gjithë parlamenti ka qenë i mbushur me policë, me helikopter janë sjellë mbi Kuvend”, ka thënë ndër të tjera Zuka.

Tutje, ish-delegati thotë se krenohet për qëndresën e tij në marsin e 1989-ës.

“Nuk jam pishman që e kam bo, përkundër që kam pas presion, krenohem me atë veprim për mbrojtjen e Kosovës”, tha Zuka.

Madje ai tregon se e kishte menduar pjesëmarrjen si i armatosur në këtë mbledhje.

Dy herë e kam marrë alltinë e kam shti n’çantë, për mos me shku falë. Kur m’ka bindë nji shok, që nëve nuk na lanë, na kontrollojnë, atehërë e kam nxjerrë e e kam lanë n’shpi. Prej atëhere as pesë pare nuk i kam dhanë”, shton Zuka për Nacionale.

Pavarësisht se suprimimi i autonomisë së Kosovës do të ndryshonte krejtësisht kahjen e ngjarjeve për vendin, institucionet publike nuk e kanë përkujtuar atë. Për përvjetorin e 33-të të suprimimit, as krerët e shtetit nuk kanë komentuar këtë ngjarje historike.

As për Sadikun në këtë ditë të rëndësishme për të e Kosovën nuk është interesuar kush.

“Fatkeqësisht, kush prej krerëve të shtetit nuk është interesu. Sot kom pas telefonatë veç me Melihate Tërmkollin, se gjithëherë kontaktojmë. Unë jam ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, i marr 100 euro penzie edhe pse kam punu 30 vjet”, ka thënë Zuka për Nacionalen.

Edhe Melihate Tërmkolli është njëra prej delegateve që atëkohë votoi kundër suprimimit të autonimisë së Kosovës.

Në rrjetin social Facebook, Tërmkolli ka kujtuar këtë datë, duke theksuar se vota kundër ishte në mbrojtje të Kosovës, të subjektivitetit politik dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Ndërkaq, në shkrimin e tij, historiani Jusuf Buxhovi, datën 23 mars të vitit 1989 e ka quajtur datë të fillimit të shkatërrimit të Jugosllavisë dhe lindjes së shtetit të Kosovës.

Pas suprimimit të autonomisë, në Kosovë u instalua një nga regjimet më të egra të Evropës, i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviç, i cili më vonë u akuzua për krime lufte ndaj shqiptarëve./Nacionale/

Lajme të ngjashme