E shkeli Kushtetutën, por Kurti e merr në mbrojtje Nagavcin – Kush po e sulmon qeverinë? - NACIONALE

E shkeli Kushtetutën, por Kurti e merr në mbrojtje Nagavcin – Kush po e sulmon qeverinë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kur kushtetutën e shkelnin oponentët e tij, Kurti nuk hezitonte t’i quante kriminelë e superkriminelë. Tash kur kushtetuesja gjeti se njëra nga ministret e tij e bëri të njëjtën, kryeministri lëre se nuk e ka ndërmend të marrë masa kundër saj, por kërkesën për masa ndaj ministres e quan sulm.

E sulm ndaj qeverisë së tij, Kurti siç duket e sheh edhe vetë opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

Këtë Kurti e tha sot para gazetarëve, duke përligjur shkeljen në njërën anë dhe duke e hedhur topin te ministrja Nagavci në anën tjetër.

Më së miri ajo ta japë sqarimin për këtë gjë. Mirëpo duhet ta keni parasysh që qeveria jonë demokratike me qeverisje të mirë në çdo fushë nuk e ka ndërmend të ndalet. Po e vërejmë qartë që kemi sulme të ndryshme të cilat po përpiqen të na e zvogëlojnë shpejtësinë. Nuk do të ndalemi asnjëherë. Do të respektojmë edhe ligjin edhe kushtetutshmërinë”, tha Kurti.

Mirëpo fjalia e fundit e tij, se do ta respektojmë ligin dhe kushtetutshmërinë, mbetet vetëm në nivelin deklarativ. Kjo pasi prej kur Kurti qeveris me vendin, janë evidentuar së paku tri shkelje kushtetuese deri më tash.

Rasti Nagavci

Nagavci që udhëheq me ministrinë e arsimit në Kosovë, krye në vete e duke tejkaluar kompetencat kushtetuese, pati marrë vendim që 441 nxënës të Komunës së Kamenicës, ta shpërfillin vendimin e komunës për reformën në arsim, e mësimet t’i vazhdojnë sipas platformës “mësimi alternativ i përshpejtuar” me çka ministrja ia ndihmoi bashkëpartiakut të saj Kadri Rahimajt, ta ndërtojë narracionin anti-reformë, duke kontribuar drejtpërdrejt që Rahimaj t’i fitojë zgjedhjet atje.

Rahimaj e Nagavci premtuan zgjidhje të shpejtë për nxënësit e familjet e tyre që ishin skeptik ndaj reformës me të cilën po udhëhiqte kryetari i atëhershëm, Qëndron Kastrati.

Por, kjo zgjidhje e shpejtë, përveç debatit mbi efektivitetin e mësimit, po del të jetë vetëm humbje kohe për fëmijët, pasi që një vendim i tillë është i paligjshëm dhe rrjedhimisht duhet të kthehet prapa. E për këtë, ndaj familjeve të nxënësve, Kurti, Nagavci e Rahimaj duket se po përkujdesen që topin t’ia gjuajnë njëri-tjetrit, duke e konfuzuar edhe më shumë situatën.

Çfarë thanë Nagavci e Kastrati?

Është obligim i imi kushtetues, profesional e moral që të angazhohem për realizimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës. Vendimi për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar, 441 fëmijë të Komunës e Kamenicës janë rikthyer në bankar shkollore pas më shumë së 7 muajve.” Pra, ministrja ende është e bindur se vendimi i saj përbën obligim kushtetues, anipse organi që është i thirrur për ta përcaktuar çka është e çka jo obligim kushtetues, e thotë të kundërtën.

Qëndron Kastrati, ish-kryetar i Komunës së Kamenicës, me iniciativën e të cilit ka filluar reforma në arsim atje, menjëherë pas vendimit të ministres Nagavci, pati paralajmëruar për paligjshmërinë e vendimit.

E kur kjo u vërtetua në Kushtetuese, Kastrati kërkoi hiç më pak se dorëheqjen e Nagavcit.

Vendimi që u vërtetua kundërkushtetues ka prodhuar pasoja. Ai ka ndërsyer njerëz kundër reformës. Ministrja Nagavci nuk mund t’ia hedhë kësaj pune kaq thjesht. Ajo ka penguar një reformë për arsye elektorale, duke shkelur kushtetutën. Tash duhet përgjegjësi. Jo më pak se dorëheqje.” ishte regaimi i parë i Kastratit, pas vendimit të kushtetueses.

Reagimet vazhduan edhe sot. Kastrati dërgoi në Ministrinë e Arsimit letrën e dorëheqjes për Nagavcin, pasi kësaj të fundit nuk i shkoi as mendja të japë dorëheqje.

Sot kemi dashtë me ardhë te zonja Nagavci dhe kemi përgatitë letër-dorëheqjen. E kemi bë gati, e kemi kry edhe këtë punë. Në përvjetorin e Kushtetutës së Kosovës, Gjykata e ka konstatuar se ajo ka shkelur tri prej dokumenteve më kryesore për demokracinë në Kosovë. E ka shkelur Kushtetutën, Kartën Evropiane për qeverisje lokale dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Me këtë, Nagavci ka arritë me shtrembëru vullnetin e qytetarëve të një komune të Kosovës, ka ndërhyrë drejtpërdrejt dhe ka cenuar komunën. E dyta, në Kosovë është krijuar një precedant që kur shkelet Kushtetuta të gjithë kanë reflektu, Nagavci duhet me u shkarku ose duhet me dhanë dorëheqje, sepse ka tejkalu kompetencat”, ka thënë Kastrati brenda hapësirave të MASHT-it.

Pas kësaj, doli një zyrtare e MASHT-it, e cila e nervozuar iu drejtua gazetarëve me “Hë, çka keni ju?!

Çka është dhe si nisi reforma?

Me të marrë mandatin në krye të Kamenicës, njëra nga zotimet që Qëndron Kastrati e kishte nisur, ndërlidhej me një reformë të arsimit. Shpopullimi i Kamenicës nga zonat rurale për në zonat urbane, por edhe ikja jashtë shtetit, kishte bërë që shumë fshatra të kësaj komune, të mbesin me fare pak banorë. Si rezultat, edhe shkollat, me fare pak nxënës. Ideja për ristrukturimin e shkollave nisi të merrte hov me vizita të kryetarit Kastrati nëpër fshatra të cilat do të ishin subjekt i reformës.

Megjithatë, qysh në start u pa se qytetarët nuk e pritën mirë. Kastrati u sulmua edhe me vezë në një fshat të quajtur Hodonoc. Nga reforma ai nuk u tërhoq. Fshatrat që do të nisej kjo reformë përfshinin Busavatën, Krilevën, Strezocin, nxënësit e të cilave shkolla do të barteshin me autobusë në shkollat e qytetit. Synimi ishte për socializim e rritje të cilësisë në arsim. Pasi hasi në rezistencë, çështjet kaluan edhe nëpër gjykata. Mësimi nuk mbahej, e kishte edhe protesta. Disa ministra u ndërruan, por Qëndron Kastratit nuk i thyhej mendja.

Reforma vazhdoi pastaj në Koretin, Topanicë, Karaçevë, Shipashnicë e fshatra të tjera. Gjykata Themelore, Apeli, Supremja e deri së fundmi te Kushtetuesja, i dhanë të drejtë Kastratit. Megjithatë, pasojat e kësaj reforme ai më së shumti i ndjeu në zgjedhje. Në gjitha këto fshatra që i përmendëm mësipër, Kastrati doli keq në zgjedhje. Aty dominonte kandidati i VV-së, Kadri Rahimaj. Ministrja Arbërie Nagavci kishte vendosur ta pezullojë reformën, e shpërblimi iu kthye në votë. Madje, në disa shkolla, klasava iu vu emri Arbërie Nagavci.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjyqtarët e kushtetueses nuk kishin asnjë dyshim në lidhje me këtë lëndë. Ata njëzëri, të gjithë, konstatuan se MASHT-i e udhëhequr nga Nagavci, ka shkelur kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke ndërhyrë në kompetencat e pushtetit lokal dhe në organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale.

“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit [nr.01B/24] të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet ndër të tjera në vendim.

E krejt këtë situatë, kryeministri i vendit e ka përshkruar si sulm nga të gjitha anët ndaj qeverisë, e ironikisht duke thënë se qeveria e tij do ta respektojë kushtetutën e ligjet e vendit.

Lajme të ngjashme