E quajti turist në luftë, Remi: Ramush Haradinaj ngutet me deklarata që nuk iu beson as vetë
Ish-komandanti i zonës së Llapit, Rrustem Mustafa, i është përgjigjur deklaratës së Ramush Haradinaj i cili atë dhe Thaçin i quajti turist.
Remi në një intervistë për Albanian Post deklaroi se Ramush Haradinaj jep deklarata të cilave nuk iu beson as vetë.
“Nuk dua të spekuloj se pse ai (Ramush Haradinaj) ngutet dhe bënë deklarata te cilat nuk i beson as ai vetë. Unë konsideroj që të diskutojmë në këtë temë është një absurditet, pjesëmarrja ime në luftën për çlirimin e Kosovës krahas UÇK, është pa diskutim pjesa më e rëndësishme e jetës time dhe nuk mund ta zhbëjë askush”, tha Mustafa.
Mustafa që është jurist me profesion, ka folur edhe për mos përfshirjen veteranëve të UÇK-së në Ligjin për Pagën Minimale, teksa është shprehur i bindur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do t’i jap epilog kësaj çështje.
“Nuk është as e ndershme, e as e drejtë që një luftëtari të vërtetë t’i nëpërkëmbët dinjiteti. Sapo të rregullohen evidencat, veteranët e vërtetë besoj do të kompensohen që nga dita kur ligji për pagën minimale do të ketë hyrë në fuqi”, u shpreh ai.
Mustafa foli edhe për bisedën e Kusari-Lilës me Slavko Simiq për veteranët. Tha se nuk ka të bëj asnjë gjë me “tradhti kombëtare”
“Zonja Kusari, por edhe kush do që zgjatë dorën e integrimit me të gjitha komunitetet duke përfshi edhe komunitetin serb, duhet përshëndetur e jo persekutuar”.