“E përligj trajtimin e pabarabartë të grave”, Avokati i Popullit e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet - NACIONALE

“E përligj trajtimin e pabarabartë të grave”, Avokati i Popullit e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatës Kushtetues Ligjin Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i cili ishte përkrahur nga të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, ky institucion ka bërë me dije se ka kërkuar nga Kushtetuesja vlerësimin e nenit 28 të këtij ligji.

Në kërkesën e tij, Avokati i Popullit ka kërkuar që përfaqësimi gjinor në listat e partive politike të jetë se paku 50 për qind.

Avokati i Popullit më 16 janar 2024, ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 28 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Dispozita e kontestuar ( neni 28 Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës) ka lënë përkufizimin e njëjtë nga ligji i kaluar, ashtu që ka përcaktuar se ‘Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë.’”, është thënë në komunikatë.

Më tej, janë sqaruar kërkesat e Avokatit të Popullit.

Lidhur me rregullimin e tillë të përfaqësimit gjinor në listat e kandidatëve, Avokati i Popullit ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë: Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës; Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; dhe Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 45, paragrafi 1 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës”, është thënë në komunikatë.

Avokati i Popullit është shprehur i bindur se ky nen nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kërkesa është parashtruar pasi që Avokati i Popullit është i bindur se përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave. Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore, duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për gratë. Avokati i Popullit vlerëson se vendosja me ligj e kuotës ‘së paku 30%’ për secilën gjini paraqet një lloj paragjykimi të pajustifikuar, duke marrë parasysh se përqindja gjinore në mes të gjinive është pothuajse 50% me 50%, me dallime të vogla dhe çdo kuotë minimale e përfaqësimit nën 50% nuk është në përputhje me qëllimin legjitim që ka ndjek ligji”, është thënë në komunikatë.

Ndër të tjera, Avokati i Popullit ka treguar se nuk do të kërkojë masë të përkohshme për këtë ligj.

Për më tepër, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen se shumica e listave të subjekteve politike që kanë garuar në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, kanë qenë të përfaqësuara me 30% femra dhe me 70% meshkuj, ku edhe atëherë kriter ligjor për kuotën gjinore ka qenë që në listat e subjekteve politike secila gjini të jetë e përfaqësuar me jo më pak se 30%. Në praktikë vërehet se femrat kanë qenë të përfaqësuara me 30% ndërsa meshkujt me 70%. Ndërsa, është vërejtur se pothuajse në të gjitha listat me kandidatët e subjekteve politike çdo i treti kandidat ka qenë grua, ndërsa dy kandidatët e parë kanë qenë burra”, është thënë në komunikatë.

VV-ja dhe PDK-ja ishin kundër dërgimit të ligjit në Kushtetuese

Paralajmërimi i Avokatit të Popullit se këtë ligj do ta dërgonte në Kushtetues nuk iu ka pëlqyer partive politike. VV-ja dhe PDK-ja ishin shprehur kundër degimit të këtij ligji në Kushteteusue.

Në një mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin diskutuar të nervozuar për këtë cështje.

Më pas, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte sqaruar se diskutimi ishte pikërisht për këtë çështje.

Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Kjo çështje nuk i ka pëlqyer as shefit të Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka qenë kryetar e Komisionit për Reformë Zgjedhore që e ka hartuar ligjin.

Ai ka bërë me dije se Avokati i Popullit para se të merret me këtë ligj, duhet të merret me disa çështje tjera ku mund të kryej detyrën dhe përgjegjësinë e tij për të mbrojtur qytetarët.

Ai, pikërisht sot do të duhej që të merrte veprime emergjente për fillimin e hetimeve ndaj abuzimit me faturat e energjisë elektrike dhe madje të zbardhte edhe fakte mbi trajtimin diskriminues të qytetarëve në pagesat e kësaj energjie. Pikërisht sot më shumë se kurrë do të duhej të ishte zëri kumbues kundër vjedhjes dhe diskriminimit të qytetarëve në faturat e energjisë nga qeveria e dhe mafia energjetike”, ka shkruar Tahiri.

Kurse, shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, kishte hënë nuk është veprim i duhur që në vit zgjedhor të amandamentohet Ligji Zgjedhor.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Tahiri kishte thënë se është në kompetencën e Avokatit të Popullit se si të veprojë.

Ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje, ishin mbështetur nga të gjitha partitë politike parlamentare. Më kujtohet se ndryshimet në këtë Ligj ishin kryesisht teknike, rekomandime të rapporteve te BE-se dhe KQZ-se. Si praktikë, mendoj se nuk është veprim i duhur që në vit zgjedhor të amandamentohet Ligji Zgjedhor. Megjithatë, Avokati i Popullit i ka detyrat dhe përgiegjësit e tij kushtetuese si institucion i pavarur dhe mundet ta dërgojë në Kushtetuese”, ka thënë Tahri.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ishte deklaruar për këtë çështje.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovës është miratuar në Kuvendin e Kosovës në qershor të vitit të kaluar. Ligji në fjalë ishte përkrahur nga të gjitha partitë politike parlamentare.

Lajme të ngjashme