E konfirmuar: Abdixhiku udhëton të dielen në ShBA, qëndron një javë - NACIONALE

E konfirmuar: Abdixhiku udhëton të dielen në ShBA, qëndron një javë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtyrjet e vizitave drejt Shteteve të Bashkuara për disa pushtetarë kanë shqetësuar opinionin publik në Kosovë. Gazeta Nacionale ka pyetur në LDK nëse kryetari i saj Lumir Abdixhiku do të udhëtonte për në ShBA siç ishte paraparë. Dhe, del se një gjë e tillë do të ndodh e për më tepër ai do të qëndrojë në vendin aleat të Kosovës për një periudhë relativisht të gjatë.

Zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike (LDK), Sibel Halimi, ka deklaruar për gazetën Nacionale se kryetari Abdixhiku do të udhëtonte drejt ShBA-ve të dielen, më 13 nëntor.

Sipas asaj që na tha znj. Halimi, Abdixhiku do të qëndronte për një javë përtej oqeanit.

“Mund të ju konfirmoj se Kryetari Abdixhiku udhëton këtë të diele për në ShBA, për një vizitë një-javore, me ç'rast ai do të zhvillojë takime të shumta me zyrtarë intitucionalë të shtetit amerikan, senatorë, kongresmenë e shumë personalitete të tjera.” – ishte përgjigja e znj. Halimi.

Çka raportoi Nacionalja?

Nacionale me anë të burimeve kishte raportuar më 3 nëntor se Abdixhiku do të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara në një vizitë shumë të rëndësishme.

Ai do të vizitojë Departamentin Amerikan të Shtetit (DASh), që ditë më parë lëshoi një komunikatë ku shprehte “shqetësim e zhgënjim” për vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Por, Abdixhiku do të zhvillojë takime shumë të rëndësishme edhe në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një vizitë tjetër Abdixhiku do t’i bëjë edhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC), ndërkaq pjesë e agjendës pritet të jetë edhe takimi me institute kërkimore politike (think tanks).

Vlen të theksohet që në vizitën e tij të parë zyrtare drejt ShBA-ve në muajin maj të këtij viti, kryeministri Kurti kishte qëndruar gjatë por ishte kritikuar se nuk kishte zhvilluar takime të nivelit të lartë.

Ishte spekuluar për një takim të mundshëm me Zëvendës-Presidenten Kamala Harris, por megjithatë një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Kurti ishte takuar me Këshilltarin për Siguri Kombëtare në administratën e Joe Biden.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka folur para gazetarëve duke përsëritur disa kërkesa specifike.

“Siç e kemi thënë po e them edhe tani ne nuk do të mbështesnim një ‘Republika Srpska’, por këtu kemi një urgjencë që është identifikuar nga komuniteti dhe është e rëndësishme për ta që ata të ndjehen se janë pjesëmarrës në një mënyrë që atyre ju duket e pranueshme dhe inkurajuese.” – kishte argumentuar z. Hovenier.

Gjatë ditës së pardjeshme, Abdixhiku kishte bërë një status shumë të ashpër ndaj pushtetit duke i akuzuar se po distanconin Kosovën nga aleatët e saj.

Kujtojmë që për shkak të situatës në vend janë shtyrë vizitat e disa zyrtarëve të lartë nga partia në pushtet, siç është rasti me ministren Albulena Haxhiu.

Lajme të ngjashme