E konfirmon MPJ: Vizita e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, vetëm kur të distancohet nga grupet kriminale në veri
Ministria e Punëvve të Jashtme të Kosovës ka konfirmuar se vizita e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, mund të aprovohet vetëm nëse distancohet nga veprimet e pjesëtarëve të tyre, për të cilët thotë se hynë ilegalisht në Kosovë dh ei dhanë përkrahje grupeve kriminale në veri.
MPJ përmes një komunikate për media, thotë se vizita nuk është refuzuar, “siç po propagandohet”, por vetëm është kushtëzuar me distancimin nga aktet e dhunës.
“Një qëndrim i tillë i institucioneve të Kosovës është determinuar nga fakti që prifti ortodoks Predrag Popoviq, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas në Rakovicë, afër Beogradit, ditë më parë kishte pranuar publikisht se ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar ilegalisht kufirin e Republikës e Kosovës dhe duke përdorur rrugët anësore –sipas tij për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it, i kishte vizituar dhe përkrahur protestuesit në barrikadat në Leposaviq.” – thuhet në njoftim
Reagimi i plotë:
Sqarim nga MPJD rreth vizitës së Patriarkut Porfirje në Republikën e Kosovës
Prishtinë, 26 dhjetor 2022
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton se ditën e premte (23 dhjetor), përmes kanaleve zyrtare, ka pranuar kërkesën për lejimin e vizitës treditore (26-28 dhjetor 2022) të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirje në Republikën e Kosovës.
Pas shqyrtimit të kërkesës, MPJD është përgjigjur se vizita e Porfirjes, do të mund të aprovohet vetëm pasi Kisha Ortodokse Serbe të ketë dënuar, respektivisht të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje.
Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar, siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat serbe, por është ndërlidhur distancimin nga aktet e dhunës dhe veprimet e lartpërmendura.
Një qëndrim i tillë i institucioneve të Kosovës është determinuar nga fakti që prifti ortodoks Predrag Popoviq, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas në Rakovicë, afër Beogradit, ditë më parë kishte pranuar publikisht se ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar ilegalisht kufirin e Republikës e Kosovës dhe duke përdorur rrugët anësore –sipas tij për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it, i kishte vizituar dhe përkrahur protestuesit në barrikadat në Leposaviq.
Me qëllim të sqarimit të qëndrimit të vërtetë të Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth kësaj çështjeje, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, ka kontaktuar fillimisht përfaqësuesit e misioneve diplomatike të vendeve të Kuint-it, ku ka bërë të qartë se deklarata e KOS-it është e pavërtetë, pasi kërkesa si e tillë nuk është refuzuar, por është ndërlidhur me distancimin nga aktet e dhunës dhe deklarimin se nuk qëndron prapa veprimeve të përfaqësuesve të saj, si në rastin e priftit ortodoks Popoviq.