E konfirmon DASh: Nënsekretari Chollet këtë javë vjen në Kosovë
Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se nënsekretari Derek Chollet do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Serbi gjatë dative 11-13 janar.
Siç është bërë e ditur, Chollet do të fillojë vizitën e tij fillimisht në Shkup, për të vazhduar më pas në Prishtinë e Beograd.
“Më 11 janar, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Shkup, Maqedonia e Veriut me një delegacion të veçantë ndërinstitucional, ku do të takohet me krerët e qeverisë për diskutime mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.” – thuhet në njoftim.
Në Prishtinë, sipas komunikatës së DASh-it, Chollet do të takohet me zyrtarë qeveritarë, liderë të tjerë poltiikë dhe shoqërinë civile.
Diskutimi, veç kësaj do të fokusohet në dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen në qendër me njohje reciproke.
“Këshilltari Chollet do të vazhdojë në Prishtinë, Kosovë, për t'u takuar me zyrtarë qeveritarë, liderë të tjerë politikë dhe shoqërinë civile për të diskutuar përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në avancimin e integrimit të Kosovës dhe euroatlantik, duke përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke. Më 12 janar, këshilltari Chollet do të vazhdojë në Beograd, Serbi, ku do të diskutojë sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për pranimin në BE me udhëheqjen e qeverisë serbe. Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.” – thuhet në komunikatë.
Chollet, parashihej që të vinte në Kosovë gjatë muajit dhjetor, por siç u tha atë kohë, i njëjti ishte infektuar me virusin Covid-19.
Zhgënjimi
Kishte qenë fillimisht Departamenti i Shtetit Amerikan që ishte shprehur i zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos shtyrë zbatimin e vendimit për target.
Në një postim në Tëitter, Chollet po ashtu kishte “ndarë zhgënjimin e Amerikës me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targa”.
Për “zhgënjimin”, ai foli edhe në intervistën dhënë para pak ditësh “Zërit të Amerikës”, ku përmendi, se ka pasur shumë biseda me kryeministrin e Kosovës.
"Bëhej fjalë për një çështje specifike, atë të zbatimit të vendimit për targat. Ne kishim pasur shumë biseda me kryeministrin dhe të tjerë për këtë çështje. Sekretari i Shtetit pati një bisedë me të.” – kishte thënë ai.
”Zhgënjimin” me Qeverinë e Kosovës, Chollet e kishte diskutuar edhe në një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq. Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit…” – deklaronte ai në një shkrim në Tëitter.
Chollet kthehet në Kosovë pas shumë vitesh
Kjo nuk është hera e parë që Chollet vjen në Kosovë. Për një kohë të gjatë, ai kishte punuar në Administratën e Bill Clitonit, ku shkruante fjalimet për ambasadorin amerikan në OKB, Richard Holbrooke.
Me këtë të fundit, ai kishte vizituar Kosovën vite më parë, gjë që e ka bërë të ditur vetë ai.
“Mezi pres të kthehem në Kosovë. Vizita ime e fundit atje, ka qenë me ambasadorin Holbrooke shumë vite më parë. Mezi pres të shoh miqtë dhe kolegët e mi atje dhe të bisedoj përsëri me presidenten dhe kryeministrin.” – i kishte thënë ai Zërit të Amerikës.
Ndryshe, nënsekretari Derek Chollet është një diplomat me përvojë që këshillon Sekretarin Antony Blinken për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.
Ai ka punuar edhe më herët në pozicione të ndryshme në Departmentin e Shtetit, e po ashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe Departmentin e Mbrojtjes.

