E konfimuar: Aksion policor në veri, ende nuk ka të arrestuar
Një aksion policor është duke u zhvilluar në disa lokacione në veri të Kosovës. Aksioni i së shtunës lidhet me rastin e Banjskës, ku ra në krye të detyrës një oficer i policisë kosovare dhe u vranë tre terroristë të grupit të armatosur të serbëve.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Veton Elshanin, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i cili ka konfirmuar se policia është duke e zhvilluar një aksion policor. Sipas Elshanit, deri tani nuk ka të arrestuar, ndërsa bastisjet janë duke u kryer në kuadër të hetimeve të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Po është duke u zhvilluar një aksion policor në lidhje me sulmin e Banjskës. Deri tani nuk ka të arrestuar. Aksioni vazhdon” – deklaroi Elshani për Nacionalen.
Çka ndodhi në Banjskë?
Kujtojmë që më 24 shtatort, në fshatin Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist nga një grup i armatosur i serbëve, që udhëhiqej nga Milan Radojiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që dyshohet edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i sanksionuar nga ShBA-ja e Britania e Madhe për përfshirje në krim të organizuar.
Një polic i Kosovës, Afrim Bunjaku, tashmë i shpallur hero i Kosovës, e humbi jetën dhe një tjetër oficer policie mbeti i plagosur, ndërsa tre terroristë mbetën të vrarë në Banjskë. Përveç vrasjes së tre terroristëve, shteti kosovar ka arrestuar edhe dy të tjerë, të cilët tashmë po përballen me organet e drejtësisë.
Në një letër publike, Radojiçiqi e kishte pranuar se e udhëhoqi grupin që kreu sulmin terrorist në veri të Kosovës, i cili u arrestua e pas 24 orëve u lirua nga organet e drejtësisë në Serbi.
"Po i njoftoj të gjithë të përndjekësit kujdestar të popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike." – shkruhej në letër.
Ndryshe, shteti i Kosovës e ka akuzuar në vazhdimësi Serbinë se qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare sanksionimin e Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste e ka shprehur kërkesën për sanksionimin e Serbisë, në mënyrë që një vepër e tillë të mospërsëritet më.
“Pra, nevoja për ndëshkim të hapur – dhe atë me gjuhë të qartë dhe të përshtatshme – si dhe kërkesa e shprehur e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë. Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”- ka deklaruar Kurti.
Ndërsa, Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, e ka radikalizuar edhe më shumë kërkesën ndaj bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me Serbinë. Ai ka kërkuar “protektorat ndërkombëtar” e “karantinë të sigurisë” për Serbinë pas sulmit në Banjskë.
“Duhet të sanksionohet Serbia, kjo duhet të ndodhë patjetër. Në kuptimin e sigurisë Serbia duhet të vendoset në karantinë, pa e vendosur Serbinë në karantinë në kuptim ndërkombëtar, gjithmonë prej aty do të burojnë forca destabilzuese drejt Kosovës, drejt Bosnjës, edhe drejt Malit të Zi, bile. Këto tri shtete janë në shënjestër të Serbisë. Serbia ka nevojë për një protektorat ndërkombëtar. Ushtria e Serbisë, inteligjenca e Serbisë, ministria e Mbrojtjes ministria e puneve te Brendshme të Serbisë duhet të monitorohen nga vendet e BE-së, sepse këto institucione dalin në shtete të tjera e vrasin njerëz, siç na ndodhi neve me sulmin e 24 shtatorit.” – propozoi Konjufca.


