“E kishte ëndërr futbollin...”: Rrëfimi emocionues i nënës së Lekë Bulliqit, të cilit ia morën jetën në moshën 17-vjeçare me pIumb në kokë
Në mars të vitit 2020, në Prishtinë kishte ndodhur një vrasje që kishte tronditur vendin, kishte humbur jetën një i mitur.
17 vjeçari Lekë Bulliqi, ishte qëlluar me armë zjarri nga i akuzuari Eduard Ibrahimi, i cili po ashtu ia kishte vënë në rrezik jetën edhe dy personave të tjerë.
Lekë Bulliqi, u vra me datë 12 mars të vitit 2020 rreth orës 15:00. Siç thuhej në aktauzë, i akuzuari, me të ndjerin Lekën, kishin pasur konflikt disa ditë para se të ndodhte tragjedia.
Lendita Bulliqi, nëna e Lekës në Nacionale foli për djalin tashmë të ndjerë, e ëndërrat që nuk mundi ti realizoj kurrë.
“Leka ka lind më 31 maj të 2002. Si fëmi ka qenë i qetë, i ëmbël... Prej moshës 8 vjeçare ka luajtur futboll në 2 korrik”, u shpreh ajo.
Lendita, foli edhe për ditën kritike, kur mori vesh se diçka kishte ndodhur me djalin e saj të vogël.
“Dita ka fillu si zakonisht. Ai ishte zgju më herët se zakonisht, çka më bëri përshtypje se ish kohë pandemie e rrishin deri vonë. Më tha se po dilte për kafe me një shok që kishte ardhur nga Gjakova.... Nuk zgjati shumë edhe mua më lajmëruan që të shkoj deri në spital, se ka ndodh diçka. Mirëpo nuk isha në dijeni se çka ka ndodhë...”
Rrugës për spital, ditën tragjike të marsit, Bulliqi thotë se kishte parandjenja se diçka e madhe ka ndodhur por që kishte edhe shpresa.
“Gjatë rrugës për në spital i kam telefonu djemve që hezitojshin me i hap edhe telefonat. Në një moment djali i dytë e ka hap telefonin e më ka thënë, Leka është plagos por nuk është shumë rëndë. Si nanë, u trondita shumë...”.
Ajo tregoi se Lekën e ka parë në spital në gjendje kome.
“Lekën e kanë goditë me armë zjarri në kokë”.
Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 qeshor 2022 kishte dënuar Eduard Ibrahimin me 22 vite burgim, si dhe E.Mme 2 vite burgim, P.I me 3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë, kurse L.B me 2 vite e 6 muaj burgim, lidhur me vrasjen e të miturit Lekë Bulliqi.
Ndërsa, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë më 21 nëntor të vitit 2022.
E, Gjykata Supreme më 25 maj 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë nuk kishte arsyetuar asnjërën prej provave të administruara, por vetëm e kishte mohuar mbrojtjen e nevojshme me arsyetimin se nuk ishte shtënë nga arma, edhe pse ekspertiza mjeko-ligjore e thotë të kundërtën dhe se vendimi ndaj Ibrahimit ishte jo i drejtë, pasi dënimi ishte i lartë duke pasur parasysh moshën e tij 19-vjeçare në kohën e kryerjes së veprës penale.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, Eduard Ibrahimi akuzohet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.