“E ka kuptuar edhe Konjufca”, shtohen zërat për zgjedhje të reja: A do të ketë zgjedhje këtë vit?
Me afrimin e vjeshtës po shtohen edhe zërat për zgjedhje të reja nacionale. Përveç opozitës që gjatë gjithë verës ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, tani edhe njerëz të rëndësishme të pushtetit nuk po e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve.
Njeriu i dytë më i rëndësishëm në VV-së ka thënë se do të ishte mirë që vendi të shkojë në zgjedhje.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se nëse ka vullnet të partive pse të mos shkohet në zgjedhje.
“Nuk e di a do të jetë vit i zgjedhjeve, nuk mund ta parashikoj, por edhe nëse do të ishte, në rregull do të ishte. Nëse ky është vullneti i opozitës dhe mazhorancës pse të mos shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Konjufca, në emisionin “DPT te Fidani” në ATV.
Ai ka vlerësuar se për të shkuar në zgjedhje duhet të ketë një pajtueshmëri të pozitës dhe opozitës.
“Nuk mund të shkojmë në zgjedhje nëse nuk ka pajtueshmëri. Mendoj që ndoshta të ishte mirë të shkojmë në zgjedhje, në këtë moment kur opozita është kaq e zëshme që të ketë zgjedhje”, është shprehur thënë Konjufca.
Partitë opozitare të gatshme për zgjedhje të reja
Gjatë këtij viti opozita ka përmendur vazhdimisht mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Partia Demokratik e Kosovës si partia më e madhe në vend prej kohësh po kërkon që vendi të shkon në zgjedhje të reje me marrëveshje politike.
Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë, e cila është mbajtur më 25 gusht.
“Partia Demokratike e Kosovës, përmes të gjitha organeve dhe zyrtarëve të saj, mbetet e angazhuar që të mbrojë interesin e shtetit dhe të qytetarëve. Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme. Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, është thënë në komunikatën e PDK-së.
E gatshme për zgjedhje është shprehur edhe LDK-ja, e cila këto ditë e ka finalizuar programin e ri politik “Rruga e Re”.
Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka thënë se kjo parti është gati për zgjedhje.
“Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja, e kemi finalizuar programin. Kemi qenë të gatshëm qe një kohë, por nuk i kemi numrat. Prandaj, nuk mund të themi çdo ditë që duam zgjedhje. Vendi në zgjedhje kërkon vota, jo deklarata”, ka thënë ajo në emisionin Frontal në T7.
Duke e komentuar deklaratat e Konjufcës për zgjedhje, ajo ka thënë se edhe i dyti i VV-së e ka kuptuar se Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë.
“Po më duket se edhe ai e ka kuptu që s`kanë bo kurgjë”, është shprehur Bajrami.
Ndryshe nga dy partitë e mëdha parlamentare, AAK-së po kërkon mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti duhet të rrezohet sa më shpejt.
“Besoj se guximi politik i Aleancës, guximi për t’i marrë përsipër rreziqet e mocionit është në shërbim të vendit. Po them rreziqet sepse duam t’i dalim ballë një pushteti të kapur, me lidhje e shkurta, me korrupsionin që po i del në dritë, me agjendën që po na armiqëson me ata që i kemi në interes jetik, me dëmet që po ia shkakton vendit si në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm është ndihmesë, ne e kemi ndihmuar opozitëbërjen me guximin tonë për mocion”, është shprehur Haradinaj në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.
Ai i ka ftuar dy subjektet tjera opozitare që t`i bashkohen iniciativës së AAK-së.
“Ata që e dojnë Kosovën nuk ishte dashtë t’i pengoj nxitimi i Aleancës nëse është nxitim, se ne jemi vonu, por nëse është nxitim, unë besoj se bashkimi i opozitës me votë në mocion është fitore e demokracisë në Kosovë, është fitore e Kosovës, është e arritur e respektuar vetëm bashkimi i votës tonë”, është shprehur Haradinaj.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021. Në këto zgjedhje VV-ja kishte fituar mbi 50 për qind të votave.