E çuditshme: Turqia merr merita për raportet mes Kosovës e Serbisë - NACIONALE

E çuditshme: Turqia merr merita për raportet mes Kosovës e Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, e ka mbajtur konferencën e fundvitit për gazetarë. Në mesin e të arriturave të ministrisë së tij, përpos ndërmjetësimit në bisedimet mes Ukrainës e Rusisë, çuditërisht, e ka përmendur edhe rolin e Turqisë në raportet Kosovë – Serbi.

Kreydiplomati turk tha se vendi i tij jo vetëm që ka luajtur rol domethënës në luftën Rusi – Ukrainë, por edhe në çështjet e lidhura me Bosnjën e Hercegovinën, Kosovën e Serbinë, Kirgizinë e Taxhikistanin, Etiopinë, Somalinë e Somalilandin, Venezuelën dhe Filipinet.

Ai i theksoi edhe përpjekjet e Turqisë për normalizim, duke thënë se marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me Arabinë Saudite kanë shënuar përparim domethënës, shkruan “Anadolu”, përcjell “Nacionale”.

“Kemi emëruar ambasadorë në mënyrë reciproke me Izraelin. Procesi i normalizimit me Egjiptin është duke shënuar përparim, edhe pse me ritëm më të ngadalshëm”- tha Cavusoglu.

Cavusoglu tha se Turqia ka zhvilluar diplomaci aktive gjatë vitit 2022, duke shtuar se ai ka zhvilluar të paktë 267 biseda telefonike dhe konferenca përmes video-lidhjes.

Ministri i Erdoganit gjithashtu tha se ka zhvilluar 83 vizita jashtë vendit, përfshirë 24 duke e shoqëruar presidentin turk. Sipas tij, të paktën 114 ministra të Punëve të Jashtme e kanë vizituar Turqinë.

Lajme të ngjashme