Dëmtimi i AKI-së nga lajmi i rremë i RTK-së: “Do të ketë përgjegjësi penale”, “Larg duart nga AKI”
Një hije dyshimi vazhdon të jetë e mbështjellur përreth Agjencionit Kosovar për Inteligjencë (AKI) në percepsionin publik. Krejt kjo nga implikimi që drejtori i RTK-së me librezë partie të Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla, i bëri institucionit kur provoi në emër të tyre ta arsyetojë lajmin e rremë të ‘Slobodna Bosna’-s të dhënë në edicionin qendror të lajmeve në RTK.
Kjo ngjarje shënoi një avalansh dorëheqjesh e distancimesh në RTK – e që, për më tepër, shpaloi një skemë kontrolli (para)politik të televizionit publik nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe për më tepër, edhe në AKI, ku besohet të jetë një strukturë e posaçme jo-formale që i përgjigjet Dejona Mihalit dhe Sali Zybës.
Rilind Gërvalla pranoi dje në një shkrim se “rrëshqimthi kam përmendur përkitjet me AKI-në” duke shkruar për lajmin e rremë kundër Nacionales dhe Periskopit; ndërsa u lëshua në gjuhë morbide – (autor, Dejona Mihali) – për “shqiptarë hakmarrës”, “bishëri”, “të pabesë e pa kanun”, “vdekja e djalit për inat të resë”, e çka-e-mos-tjetër.
Lëvizja Vetëvendosje sot lëshoi – për të katërtën herë me radhë – seancën e Kuvendit të Kosovës ku u kërkua shkarkimi i anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët i qëndruan krah drejtorit nga Vetëvendosja në sulmin e rrezikshëm me lajmin e rremë ndaj Nacionaes dhe Periskopit.
Rikujtim: RTK dha në lajme qendrore dhe portal një lajm të një mediumi rekordthyes boshnjak për lajme të rreme, “Slobodna Bosna”, ku pa asnjë fakt, provë, referencë, shifër, evidencë – e madje edhe pa marrë palën tjetër në prononcim – se gjoja Nacionale dhe Periskopi kontrollohet/paguhen nga Serbia. Krejt kjo mbi bazën e një burimi anonim nga Kosova. KMShK dhe KPM e kanë vërtetuar shkeljen që RTK ka bërë me lajmin e rremë.
Kryetarja e Komisiomit për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu, duke folur nga Kuvendi i Kosovës, foli në tone të ashpra ndaj Vetëvendosjes: “Larg duart nga AKI”.
“Drejtori i TV-së në RTK, aktivist i VV-së, që implikon AKI-në në sulmin ndaj dy mediave, dje tha se AKI-ja nuk ka qenë e përfshirë, e ka dëmtuar shumë AKI-në, këtë institucion vital të vendit. Kjo gjë nuk duhet të lejohet të vazhdohet më tutje. Kjo praktikë duhet të ndalet, dhe prej kësaj foltoreje, unë e di shumë mire sensitvitetin që ka kjo temë, dua ta them veç një fjalë: larg duart nga AKI-ja”, tha Musliu.
“Sepse nuk iu garantoj që në seancën tjerë dal e flas me emër për secilin, dështim, secilën ndërhyrje që po tenton VV-ja ta bëjë. Informacionet që vine nga RTK-ja, tregojnë që Dejona emëron e shkarkon stafin dhe udhëheqë de facto RTK-në. Asnjë veprim në RTK nuk bëhet pa aprovimin e saj. Albini e ka emëruar një njeri e cila është e dyshimtë, asaj ia ka ndaluar Kosova me qëndru në këtë vend”, tha Musliu.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, duke iu referuar krejt kësaj situate me RTK-në dhe AKI-në, tha se ata persona në këto dy institucione me përgegjësi për çështjen në fjalë do të mbajnë përgjegjësi penale.
“Këto institucione do të mbajnë përgjegjësi penale që kanë monitoruar prodhuar informacione të pasakta dhe penalisht dhe do të shkojnë në burg”, ka thënë Gashi.
“Me ardhjen në pushte të LVV-së me mentalitet të kapjes së shtetit dhe pushtetit veprimi i parë ishte shkarkimi i bordit të RTK-së. Si rezultat i LVV-së, kapjes së Bordit, dhënies së lajmeve të pavërteta u dëmtua interesi publik, si parti politike ne vendosim që të mos marrim pjesë në programacionet e RTK-së. Prodhuan informacione të rrejshme për koleget e tyre, këto lajme u shpërndan në emër të AKI-së”.
“Ky problem i shkaktuar nga kjo qasje e bazuar në këtë mentalitet të kapjes dhe kontrollit, të prodhimit të informacionit të pavërtetë ka rrezikuar jetën e qytetarëve të Kosovës, si gazetar të Kosovës, ka helmuar ambientin politik në Kosovë, ka dëmtuar besimin e qytetarëve dhe të partnereve ndërkombëtarë në AKI-në…”, tha Gashi.