“Dyshohen të jenë nga sulmi i Bajnskës”: Detaje rreth “veprimit” të policisë në Zveçan ku u gjetën 700 fishekë - NACIONALE

“Dyshohen të jenë nga sulmi i Bajnskës”: Detaje rreth “veprimit” të policisë në Zveçan ku u gjetën 700 fishekë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth 700 fishekë dhe 34 gëzhoja janë gjetur në Bajnskë të Zveçanit gjatë ditës së djeshme. Për këto, Policia e Kosovës dyshon të kenë mbetur prej sulmit të 24 shtatorit, ku mbet i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Këto detaje i ka bërë të ditura zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, i cili fillimisht, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë aksion policor, por ka qenë “veprimtari e Policisë”.

“Nuk mund të themi se ka qenë ndonjë aksion policor, por ka qenë në fakt një veprimtari e Policisë, e cila është normale. Gjatë ditës së djeshme kemi gjetur një flamur të Serbisë, rreth 700 fishekë të kalibrit 762. Konsiderojmë se ka mundësi se janë nga rasti i Banjskës së Zveçanit. Kemi hasur edhe 34 gëzhoja në atë vend. Është afër vendit, rreth 50-60 metra ku është vrarë Afrimi jonë. E kemi krehur komplet atë zonë. Nuk është që kemi gjetur diçka, veçse një kapelë dhe një gëzhojë.” ka thënë ai për “RTV Dukagjini.

Ndërkohë, gjatë veprimtarisë së sotme të disa Njësive të Policisë së Kosovës, është gjetur edhe një kapelë dhe një gëzhojë.

“Nuk kemi gjetur diçka, veçse një kapelë dhe një gëzhojë. Kjo veprimtari policore ka përfunduar. Ndërsa, ka pasur njësi të ndryshme të policisë, si Njësia Speciale, Njësia kundër minave dhe mjeteve shpërthyese si dhe Njësinë e K9 me qen.” – u shpreh Elshani.

Ndryshe, mëngjesin e së premtes Policia e Kosovës njoftoi për këtë rast përmes raportit 24 orësh, duke deklaruar:

“Fsh. Banjskë, Zveçan / 04.01.2024 – 13:45. Njësia policore gjatë patrullimi në afërsi të një kodre ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”.

Vlen të theksohet se pas sulmit të 24 shtatorit, Policia e Kosovës kishte gjetur një sasi tepër të madhe të armatimit, që ishte futur brenda territorit tonë nga grupi terrorist.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, kishte deklaruar që vlera e këtij armatimi llogaritej të jetë rreth pesë milionë euro.

“Kemi gjetur armatim për në shumë 5 milionë euro dhe sasi të armatimin për qindra luftëtar që dëshmon për planin e fillimit të një luftë të armatosur brenda e kundër republikës së Kosovës. Aratimit ushtarak direktivat politike dhe mbështetja të gjitha vini nga Serbia. Nga e diela që lamë pas më asgjë nuk është e njëjtë. Falënderoj institucionet për një kontribut të jashtëzakonshme për të mbrojtur republikën. As një civil i lënduar nuk ishte gjatë intervenimit.” - ka thënë ai.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup terrorist serb i kryesuar nga Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, kryen një sulm terrorist në Bajnskë të Zveçanit.

Nga ky sulm, mbeti i vrarë polici kosovar Afrim Bunjaku, derisa Policia e Kosovës neutralizoi tre sulmues.

Disa pjesëtarë të grupit, tashmë janë arrestuar. Sa i përket Radojiçiq, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria në Serbi, por megjithatë, vazhdon të jetë i lirë.

Lajme të ngjashme