Dyshime për dallavere me vota: Pas Mitrovicës, prokuroria ftohet të hetojë procesin edhe në Shtime, Junik e Malishevë - NACIONALE

Dyshime për dallavere me vota: Pas Mitrovicës, prokuroria ftohet të hetojë procesin edhe në Shtime, Junik e Malishevë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas fillimit të hetimeve për procesin zgjedhor në Komunë të Mitrovicës, edhe në disa komuna tjera janë shfaqur dyshime lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Zyrtarët e partive politike kanë njoftuar për parregullsitë që janë shfaqur në Shtime, Junik dhe Malishevë. Ata kanë ftuar prokurorinë që t`i hetojë këto dyshime.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, sot ka shprehur dyshime për dallavere me vota në Shtime.

Ai ka thënë se është gjetur një fletëvotim falas, dhe mungon origjinali, duke alarmuar për dyshimet e trenit bullgar.

“Nga pozita ime si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me parregullsitë serioze të evidentuara në vendvotimin 2207/01, në fshatin Belinc, Komuna e Shtimes. Bazuar në të dhënat e paraqitura, ekzistojnë indikacione të qarta për shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si “Treni Bullgar”, gjetjen e një fletëvotimi fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Këto elemente përbëjnë dyshime serioze për kryerjen e veprave penale që cenojnë integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”, duke ftuar prokurorinë që të merret me këtë rast.

“Në këtë drejtim, ftoj organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe organet e tjera hetimore, që të ndërmarrin hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm për këtë rast, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Nëse këto dyshime vërtetohen, ky rast nuk guxon të mbetet në heshtje dhe pa pasoja ligjore, sepse çdo veprim që cenon vullnetin e qytetarëve përbën rrezik serioz për procesin demokratik në vend. Çdo kërkesë mëpas e subjekteve politike, pavarësisht përkatësisë, do të jetë legjitime dhe e arsyeshme, pasi vullneti i popullit duhet mbrojtur dhe respektuar në çdo rrethanë. KQZ dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që procesi zgjedhor të jetë i ndershëm, transparent dhe i mbrojtur nga çdo formë manipulimi”, ka shkruar ai.

Sot, edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar nga prokuroria të hetojë procesin zgjedhor në Junik.

Ai ka bërë me dije se në këtë komunë votuan edhe qytetarë të komunave tjera.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se shumë qytetarë në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut.

“Prokuroria ta hetojë procesin zgjedhor në Junik, në këtë komunë votuan edhe qytetarë të komunave tjera! Juniku, si një zonë zgjedhore, ka shumë qytetarë nga qytetet tjera të cilët në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut. Kjo përbën vepër penale dhe si e tillë duhet urgjentisht të hetohet. KQZ duhet ta publikojë listën zgjedhore të kësaj komune, pasi kjo është shumë e qartë si skemë e dominimit numerik kriminal”, ka shkruar Haradinaj.

Kurse mbrëmë, edhe dega e PDK-së në Malishevë është shprehur e shqetësuar për procesin e verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve.

Përmes një reagimi, kjo degë ka vlerësuar se procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve në Malishevë po rrezikohet.

“Procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve në Malishevë po rrezikohet! Në qendrën e verifikimit të fletëvotimeve në Malishevë është vërejtur prezenca e kandidatëve për Kuvend Komunal nga subjekti Nisma Socialdemokrate, Safet Morina, Hafir Rexha, gjë që është rreptësisht e ndaluar me ligj dhe me rregullat e KQZ-së! Përveç tyre, persona të paautorizuar, struktura të Nismës dhe portale të afërta me ta po lëvizin lirshëm në hapësira të rezervuara vetëm për komisionerë dhe vëzhgues të certifikuar, duke e vënë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor”, është thënë në reagimin, duke dhënë detaje tjera.

“Kjo është shkelje flagrante, që rrezikon të komprometojë vullnetin e qytetarëve të Malishevës! Kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme nga KQZ-ja dhe organet përgjegjëse për ta ndalur këtë ndërhyrje të papranueshme dhe për të garantuar numërim të ndershëm, transparent dhe të drejtë. Vota e qytetarëve është e shenjtë — mos lejoni që të nëpërkëmbet!”, është thënë në reagim.

Lajme të ngjashme