Dy zyrtarë të lartë të PDK-së s’pranuan të jenë pjesë e shtabit zgjedhor në Drenas, reagon Ramiz Lladrovci
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pasi dy zyrtarë të lartë të PDK-së kanë refuzuar propozimin e tij që të jenë anëtarë të shtabit zgjedhor në Drenas.
Ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari, kanë bërë me dije se nuk pranojnë të jenë pjesë e shtabit, meqenëse për një gjë të tillë nuk janë konsultuar paraprakisht.
Duket se ky veprim nuk i ka pëlqyer Lladrovcit. Ky i fundit ka reaguar në statutin e Petrit Hajdarit, duke thënë se për disa politikanë nga Drenasi e shohin komunën si të vogël për dimensionin e profilin e tyre politik.
“E kam pritur reagimin, sepse, për disa politikanë nga Drenasi, e shohin komunën tonë tepër të vogël për dimensionin e profilin e tyre politik. Qëllimi i përfshirjes së anëtarëve të kryesisë qendrore në Shtabin zgjedhor të Degës së PDK-së në Drenas, është më shumë se normale. Emërimet janë bërë pa u konsultuar me disa nga ju, por, Kryetarit Krasniqi i kam thënë se nuk ju kam konsultuar, por, nëse kanë angazhime, apo ngarkesa me zgjedhjet në nivel qendror apo nuk pajtohen, këta kandidatë le të deklarohen. Nga 24 shtatori deri më 3 tetor, nuk kam pasur asnjë reagim nga Kryetari as nga të emëruarit. Heshtjen e kam konsideruar pranim”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka pretenduar se dega e PDK-së në Drenas është unike.
“Petrit, emri do të hiqet nga Shtabi zgjedhor i PDK-së në Drenas. PDK do të ecën tutje. Për deklarimet tjera si për përçarjen, mbulimin e tyre, personalizimin e mosbesimin ndaj procesit, janë praktikë që e ke mirëmbajtur haptas me subjektet tjera politike në Drenas të cilat më kanë luftuar dhe do të duhej të ndjehesh i turpëruar. Uniteti në degë mbrëmë disa i ka penguar dhe po i pengon, në veçanti janë të tronditur ata që kanë pësuar disfatë me subjektin politik të dalë nga PDK. Opozitën e cila po shuhet në Drenas dhe ish anëtarët e PDK-së i kam ftuar të kontribuojnë për fitoren e PDK-së dhe Bedri Hamzës kryeministër, sepse, meritojmë qeveri më të mirë. Për zgjedhjet lokale, këtu jam”, ka shkruar Lladrovci.
