Dy vjet me U.D: Çfarë thuhet në Projektligjin për Zyrtarë Publik dhe a u zbatua vendimi i Kushtetueses?
Qeveria e Kosovës ka finalizuar, për herën e dytë, ndryshimet në Projektligjin për Zyrtarët Publik. Megjithatë, një pjesë e ndryshimeve nuk janë përshtatur sërish me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte rrëzuar disa nene nga Projektligji i parë. Por, çfarë thuhet në këto ndryshime? Nacionale sjell detaje.
Kur një pozitë drejtuese mbetet e lirë për arsye të ndryshme, ajo do të mund të zëvendësohet me Ushtrues Detyre për një kohë goxha të gjatë.
Me Projektligjin e ri për Zyrtarë Publik, qeveria e ka lënë të hapur mundësinë që pozitat me U.D të mbesin deri në dy vjet.
“Në rast se një pozitë e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues brenda strukturës organizative të institucionit mbetet e lirë, nëpunësi i nivelit të lartë drejtues i atij institucioni e cakton me vendim ushtruesin e detyrës për pozitën e lirë. Për kategorinë e nivelit të lartë drejtues, ushtruesin e detyrës e cakton titullari”, thuhet në këtë Projektligj të Qeverisë, raporton Nacionale.
Menjëherë më poshtë këtij neni, specifikohet se pozitat me U.D mund të mbesin deri në dy vjet, nga gjashtë muaj sa ishte. Çka ka shtuar dilemat nga opozita se pushteti po synon kapjen e pozitave të ndryshme, duke vendosur personat e afërt si ushtrues detyre.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se një periudhë prej 2 viteve”, thuhet në këtë Projektligj.
Ky është vetëm një prej neneve më problematike në këtë Projektligj, të cilin qeveria e votoi javën e kaluar në një mbledhje elektronike.
A u përfillën rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese?
Projektligji për Zyrtarët Publik, mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese. Pavarësisht se kjo e fundit e tha fjalën e saj muaj më parë, duke rrëzuar disa prej neneve.
Tash, shkak për këtë mund të bëhet fakti se qeveria në disa detaje, po del se nuk ka përfillur rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.
Njëri prej rasteve është te nenet që specifikojnë kufizimin e mandateve për zyrtarët publikë që janë në nivelin e ulët apo të mesëm.
“Nëpunësit civil të emëruar në pozita e kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese para hyrjes në fuqi të ligjit bazik konsiderohet se fillojnë mandatin e parë me hyrjen në fuqi të këtij ligji”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 17 të këtij Projektligji, raporton Nacionale.
E pikërisht për këtë nen, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ky rregullim, cenon Kushtetutën e Kosovës.
“Bazuar në parimin e sigurisë juridike, por edhe në përgjigjet e pranuara nga gjykatat kushtetuese dhe/ose ekuivalentet përkatëse anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, rezulton që një reformë e tillë e administratës publike, ose nuk është ndërmarrë, ose nuk e ka kaluar testin e vlerësimit të kushtetutshmërisë, me përjashtim të sqarimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese e Austrisë, lidhur me reformën përkatëse e cila është zbatuar gradualisht dhe pa efekt ndaj zyrtarëve që kishin mandate/kontrata të përhershme, duke u mundësuar të njëjtëve që të zgjedhin vet në mes të sistemit të karrierës ose atij të pozitës, me beneficionet përkatëse nëse vullnetarisht pranojnë kalimin në sistem të pozitës në administratën publike. Për pasojë, Aktgjykimi konstaton që neni 99 i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Një tjetër element është tek neni që flet për Listën e Pritjes, e që Qeveria nuk ka hequr dorë nga afati 9-mujor për zyrtarët publikë të cilët nuk sistemohen në ndonjë prej vendeve të punës që iu ofrohet.
“Nëse brenda afatit prej nëntë (9) muajsh nëpunësi civil nuk sistemohet apo refuzon sistemimin në ndonjë pozitë të lirë të shërbimit civil, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil”, thuhet në Projektligjin e Qeverisë.
Edhe për këtë nen, Gjykata Kushtetuese kishte thënë fjalën e vet.
“Më saktësisht dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, neni 67 i Ligjit të kontestuar, ndër tjerash, përcakton që gjatë periudhës deri në nëntë (9) mujore të pritjes para sistemimit në një pozitë profesionale dhe/ose lirimit nga shërbimi civil, nëpunësit përkatës (i) kanë detyrimin të mos kenë marrëdhënie tjetër pune ose në të kundërtën, humbin të drejtat që mund të burojnë nga “Lista e Pritjes”; përderisa (ii) të drejtat e tyre, përfshirë pagën dhe/ose nivelin e saj, nuk janë të garantuara përmes Ligjit të kontestuar, por sipas të njëjtit, do të përcaktohen me akt nënligjor. Aktgjykimi sqaron që raporti i tillë në mes të të drejtave dhe detyrimeve nuk është proporcional, dhe për më tepër, në kundërshtim me kriteret e “qartësisë” dhe “parashikueshmërisë” lidhur me ligjin e aplikueshëm, të ngërthyera në parimin e sigurisë juridike, sipas interpretimit të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, të Gjykatës dhe opinioneve relevante të Komisionit të Venecias”, thuhej në vendimin e Kushtetueses.
Opozita sërish paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese
Këto mos-respektime të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë bërë që partitë në opozitë të paralajmërojnë se sërish do t’i adresohen kësaj gjykate.
“Ata duan të ia nënshtrojnë kushtetutën dhe rendin kushtetuese vullnetit dhe bindjeve të tyre politike. Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta lejoj këtë arbitraritet. Nëse ky ligj miratuar në kuvend më këtë përmbajtje, ne do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetues. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndalë këto veprime jokushtetuese, këto sulme ndaj kushtetutës dhe rendit kushtetuese të Kosovës, dhe të angazhohet për reformat e administratës publike për të cila Kosova ka aq shumë nevojë”, ka deklaruar Koordinatori për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda.
Të njëjtin paralajmërim e ka dhënë edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
“Ky projekt ligj shkel të drejtat e punëtorit, është një hap për kapjen e administratës së shtetit dhe akomodimit të personave publik. E bën ligjin problematik dhe në funksion të VV-së. Kjo Qeveri do mbahet mend për numrin më të madh të ushtruesve të detyrës. Shteti i Kosovës është shteti i vetëm në Evropën Juglindore që institucionet udhëhiqen me ushtrues detyre, në administratë, kryeministri dhe presidencë udhëhiqen me ushtrues detyre. Ajo çka na brengos është kthimi i mandatit që është në kundërshtim me mandatin sipas të cilit mandatet vlejnë vetëm. Është tragjike për një shtet që përmes një procesi jo transparent të konsolidohet kapja. Dera e fundit është Gjykata Kushtetuese dhe për këtë do të marrim veprime”, ka thënë ai.
Mbetet të shihet nëse Kuvendi i Kosovës do t’ia jap dritën e gjelbër këtij Projektligji.