Dy të vdekur nga sulmi në një bllok banesor në Zaporizhia
Rusia sulmoi një bllok banesor 5-katërsh në Zaporizhia natën e kaluar, duke vrarë dy njerëz, tha ushtruesi i detyrës së kryetarit të qytetit, Anatoly Kurtev.
Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar nën rrënoja për ndonjë të mbijetuar. Kurtevi tha se ndërtesa “është shkatërruar pothuajse tërësisht”, raporton gazeta “The Guardian”.
Administrata Rajonale Ushtarake në Zaporizhia tha se duket që Rusia ka përdorur një raketë të tipit S-300 për këtë sulm.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka parashikuar mot më të ngrohtë se zakonisht në Ukrainë për pjesën e mbetur të dimrit dhe në pranverë.
Përderisa ky është lajm i mirë për civilët që janë ballafaquar me dimrin, ai do të paraqesë sfidë për forcat ukrainase, pasi toka do të zbutet dhe do të krijohet baltë.
Megjithatë, ministria britanike vlerësoi se vështirësia në qarkullim për shkak të baltës mund t’u ofrojë avantazh forcave mbrojtëse, me gjasë përmes ngadalësimit të depërtimit të sulmuesve.
Një deputet ukrainas ka thënë se nuk ka logjikë që forcat e vendit të tij ta mbajnë nën kontroll qytetin Bakhmut me çfarëdo kostoje. “Unë besoj se herët a vonë, ne ndoshta do të detyrohemi që të tërhiqemi nga Bakhmuti. Nuk ka logjikë që të mbahet ai me çfarëdo kostoje”- tha deputeti Serhiy Rakhmanin.
Në Indi po mbahet samiti i nivelit të lartë i Grupit G20. Kryeministri i këtij vendi, Narendra Modi, bëri thirrje të enjten që vendet e këtij grupi t’i lënë anash dallimet sa i përket Ukrainës. Ai tha në takimin fillestar se qeverisja globale ka dështuar.
