Dy të dyshuara ndalohen për 48 orë: Çka ndodhi me rastin në Fushë-Kosovë ku u keqtrajtua një fëmijë?
Mëngjesin e sotëm një qytetar me emrin Fatos Geci publikoi në Facebook disa pamje të tmerrshme, ku deklaroi se shihet nipi i tij duke u keqtrajtuar nga edukatorët në çerdhen shtetërore “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë. Gjatë tërë ditës pati reagime në lidhje me këtë rast, ndërsa lajmi i fundit është se janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuara.
“Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fush Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve “Gezimi ynë”, është rrahur brutalisht nipi im Lisi, vetëm 3 vjeç.” – kështu thuhej në shkrimin e Gecit në Facebook.
Video e publikuar nga ai, nuk ndodhet më në këtë rrjet social pasi që postimi është fshirë për arsye që nuk dihen.
Në lidhje me rastin, më pas reagoi ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila deklaroi se dhuna është e papranueshme, derisa dënoi këto veprime.
“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor.” – tha ajo.
Me reagim doli edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se organet e drejtësisë po trajtojnë rastin.
“Përderisa tashmë organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes. Që rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi, dhe shërbimet sociale në veçanti, gjegjësisht qendrat për punë sociale.” – u shpreh ajo.
Nacionale gjatë ditës qëndroi edhe pranë kësaj çerdhe, ku më shumë detaje mund t’i ndiqni në videon më poshtë.
Pasdite, Policia e Kosovës doli me një komunikatë rreth rastit ku njoftonte se janë duke u kryer hetimet.
“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë Kosovë.
Pas publikimit të pamjeve të tilla ne kemi marrë seriozisht pretendimet e ngritura dhe menjëherë kemi filluar një hetim preliminar për çështjen.” – bëhet e ditur.
Sipas policisë, zyrtarët janë duke mbledhur provat dhe duke intervistuar personat që kanë mundur të jenë të implikuar në rast.
“Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato.” – thuhet tutje në komunikatë.
Pak më vonë, policia doli me një njoftim të fundit, ku konfirmoi se dy nga të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë pasi dyshohen për veprën: “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Policia po ashtu, njoftoi se të dyshuarat janë:
N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe
N. H, femër, 56 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës.