Dy rrugë, dy ego, zero diplomaci: Nis java e ‘fotodiplomacisë’ Osmani Vs. Gërvalla në New York
Pozat dhe fotogaleritë do të vërshojnë rrjetet social edhe sivjet. Por, vetëm kaq.
Dy shefe të politikës së jashtme, secila në shtegun e vet personal, ia kanë mësyer Nju Jorkut edhe kësihovi për të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Rezultate? Si rëndom: fotogaleri konkurruese për konsum të brendshëm.
Diplomacia e Kosovës e rënë në “fotografohem, pra ekzistoj” as sivjet s’pritet të prodhohet gjë; përtej asaj që Kosova nuk është pjesë e OKB-së dhe pa prospekt që të jetë sa të ketë Kinë dhe Federatë Ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Një shtrëngim dy-tre sekondësh duarsh në korridore, një fotografi e shkrepur me shpejtësi vetëtime në ‘Kodak’ dhe PR-i presidencial dhe qeveritar e përkthen në mesazhe të Kosovës në qendër të diplomacisë botërore dhe krah për krah me aleatët.
‘Fotodiplomacia’ veçse ka nisur.
Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla (e cila s’ka as mandat), dikur bashkëpartiake, as sot nuk ndajnë as të njëjtat ambiente, përveç se brenda jo, e as jashtë vendit.
Që nga sot në mëngjes u angazhuan PR-et e Presidencës dhe MPJD-së.
PR-i i kësaj të fundës nxori një foto të Gërvallës së vitit të kaluar se po merr pjesë në “Javën e Nivelit të Lartë” dhe se ajo do të jetë prezentë kudo e gjithkund.
“Gjatë kësaj jave, Ministrja Gërvalla do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, ku do të adresohen sfidat më të rëndësishme të rendit global, nga siguria e çështjet rajonale e deri te zhvillimi ekonomik dhe forcimi i bashkëpunimit mes shtetesh”, shkroi MPJD.
“Ministrja Gërvalla do të jetë pjesë aktive e tryezave shumëpalëshe rreth politikave globale të sigurisë, dinamikave gjeopolitike dhe sfidat në vitet në vijim. Në vazhdimësi, Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe të ardhmes së rendit ndërkombëtar”, thanë ata.
Nacionale dërgoi pyetje në MPJD se në cilat tryeza, e në çfarë takimesh e aktivitetesh do të jetë e pranishme depuetetja që jashtëligjshëm mban postin e kryediplomates kujdestare, por pa përgjigje.
Osmani ka nisur veçse të postojë takime me mesazhe që s’thonë asgjë përtej frazave të zakonshme.
“Në New York pata kënaqësinë të takohem me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge. Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, shkroi ajo.
Kjo në dritën e rënies drastike të marëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku Departamenti i Shtetit e përjashtoi në kohë të paafatë Dialogun Strategjik.
Osmani, në fund të mandatit dhe në kërkim të një tjetri mandat pas prillit të vitit tjetër, u rreshtua me Albin Kurtin e Vetëvendosjes, emri i përvetshëm i të cilit u saktësua si shkaktari i prishjes bilaterale nga Ambasda e ShBA-së në Kosovë.
E njëjta ngjarje, vitin e kaluar...
Osmani kishte thyer krejt rekordet e kuptimit diplomatesk kur kishte postuar një fotogaleri prej dhjetëra e dhjetëra fotosh me dhjetëra takime, që s’përktheheshin në rezultate diplomatike përveç shoqërimesh në holle të ambienteve të OKB-së.

Kosova vazhdon të jetë diplomatikisht e izoluar, të trajtohet veçse si çështje sigurie, dhe secili inç hapi i saj drejt strukturave euroatlantike vazhdon të jetë i kufizuar me Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit të pranuar në shkurt të 2023’ës, ku kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, si dhe kthimi i përfaqësimit politik të serbëve në veri të Kosovës të cilët udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë pa legjitimet demokratik.