Dy ditë para takimit në Bruksel, ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë Kurtit - NACIONALE

Dy ditë para takimit në Bruksel, ambasadorët e QUINT-it i shkojnë në zyrë Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy ditë para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës është vizituar nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate nga zyra e kreut të ekzekutivit.

Përveç Kurtit, mikpritës i ambasadorëve ka qenë edhe zëvendës-kryeministri Besnik Bislimi.

“Në prag të takimeve në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, takuan përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. U bisedua për takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë” thuhej ndër të tjerash në komunikatë.

Kujtojmë se takimi veçse ishte konfirmuar për Nacionalen javë më parë nga autoritetet gjegjëse evropiane.

“Mund të konfirmoj se pasi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën e tij dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajčák për të diskutuar rrugën përpara në Dialogu i Beogradit Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thuhej në përgjigjen e BE-së.

Në anën tjetër, opozitarët nuk presin shumë nga ky takim.

Anton Berisha, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një prononcim dhënë Nacionales kishte deklaruar se kryeministri është shndërruar në ekzaltues të takimeve.

“Z. Kurti prej kushtëzuesi të takimeve me Vuçiqin është shndërruar në ekzaltues të takimeve. Nuk pres asgjë konkrete nga ky takim, ngase ai nuk e merr seriozisht çështjen e Kosovës. Ai dialogun është duke e përdorë si instrument të faktorizimit të vetes dhe për qëllime të ngushta politike, e jo si një proces serioz me implikime shumëpalëshe. Në fakt z. Kurti është joserioz në të gjitha temat serioze, përderisa aktron seriozitet në tema joserioze”, kishte thënë ndër të tjerash Berisha.

Lajme të ngjashme