Dy ditë nga vdekja e Agon Zejnullahut në duart e shtetit, asnjë dorëheqje morale nga policia apo politika - NACIONALE

Dy ditë nga vdekja e Agon Zejnullahut në duart e shtetit, asnjë dorëheqje morale nga policia apo politika

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë kaluar më shumë se dy ditë nga vdekja e Agon Zejnullahut në duart e Policisë së Kosovës dhe ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi institucionale.

Pavarësisht kërkesave të shumta, deri me tani askush nuk ka dhënë dorëheqje morale nga zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës apo nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Shoqëria civile, partitë politike, dhe njohësit e rrethanave kanë bërë me dije se kjo ngjarje tragjike nuk mund të përfundojë vetëm me suspendimin dhe arrestimin e zyrtarëve policorë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme nuk i ka komentuar kërkesat për dorëheqje.

Kur është pyetur për këtë çështje derisa hynte në Kuvend, ai është qeshur.

Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vetëm sot e ka parë të arsyeshme të reagoi për rastin tragjik në Lipjan.

Gjatë mbledhje se qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar hetim profesional për zbardhjen e rastit.

Në adresimin e tij, ai nuk ka dhënë shenja se dikush mund të jap dorëheqje.

“Fillimisht dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu, të ndjerin Agon Zejnullahu. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka prej asaj që ka ndodhur është publike falë incizimeve të dëshmitarëve. Por, për të kuptuar gjithçka duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë, bashkëpunimi mes Policisë, Inspektoratit Policor, IML-së dhe Prokurorisë, është thelbësor. 5 zyrtarë policorë janë në paraburgim, unë kërkoj e pres hetim të thellë e të shpejt, që zbardh të vërtetën e plot, dhe i bënë të njohura të gjitha rrethanat, ashtu që të vendoset drejtësia”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se tendenca që të nis anti-fushatë ndaj Policisë, është e dëmshme.

“Dua të bëj të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat, apo shkelur ligjin. Shërbimi në uniformë është fisnikëri, por autoriteti është përgjegjësi. Diskutimet publike e gjykimet publike janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit. Tendenca që të nis një anti-fushatë ndaj Policisë është e dëmshme. Thirrjet për drejtësi e përgjegjësi janë të drejta, por ato më së miri realizohen me rezultatet e plota të hetimeve. Vetëm atëherë sigurohemi që llogaridhënia për rastin, që situata të ngjashme mos të na përsëriten”, është shprehur Kurti.

Gjatë ditës së mërkurë , janë shtuar kërkesat për dorëheje të ministrit Xhelal Sveçla.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se ky do të ishte një akt i padiskutueshëm moral i përgjegjëses së tij politike dhe ligjore.

“Në emër timin dhe PDK shpreh ngushëllime për vdekjen e Agon Zejnullahut. Shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë atyre që e kanë njohur. Me këtë rast kërkoj përgjegjësi nga organet e shtetit për zbardhjen deri në fund të të vërtetës të kësaj ngjarje tragjike që na ka tronditur të gjithëve. Po ashtu, në emër të PDK-së të kërkoj dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme si një akt i padiskutueshëm moral i përgjegjëses së tij politike dhe ligjore”, ka thënë Gruda.

Kurse, instituti për Politika Sociale Musine Kokalari ka kërkuar hetim të plotë për rastin në Lipjan.

Përmes një reagimi, ky institut ka bërë me dije se kjo ngjarje tragjike nuk mund të përfundojë vetëm me suspendimin dhe arrestimin e zyrtarëve policorë.

“Kjo ngjarje tragjike nuk mund të përfundojë vetëm me suspendimin dhe arrestimin e zyrtarëve policorë. Nuk mund të përkufizohet vetëm si çështje disiplinore dhe penale. Tragjedia e Lipjanit nuk duhet trajtuar si një rast i izoluar. Është edhe reflektim dhe sinjalizim i një simptome shqetësuese të policimit të shtetit, edhe si produkt i trimërimit të mendësisë së legjitimimit të dhunës në emër të sigurisë publike dhe, në anën tjetër, të një aparati të sigurisë i cili ka prirje të përdoret, çdo herë e më shumë, me metoda arbitrare, pa kontroll efektiv civil dhe pa transparencë të plotë publike”, është thënë në reagimin e institutit, duke ftuar institucionet që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme.

Lajme të ngjashme