"Duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë": Qysh u komentua deklarata e Osmanit për Asociacionin?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë në RKT, ka thënë se Kosova duhet të ulet bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe ta bëjë gati draftin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo deklaratë e saj është komentuar nga analistët e politikës. Disa nga ta e kanë mirëpritur e disa të tjerë e kanë kritikuar.
Presidentja Osmani për herë të parë që nga debati për Asociacionin ka thënë se Kosova për të bërë një kthes të rëndësishme në dialgu, duhet që të ulet me Amerikën dhe të bëjë propozimin e Asociacionit.
“Nga fillimi kam thënë që nuk shoh sukses pa involvimin direkt të Amerikës në këtë proces, dhe këtë e dëshmon historia. Në secilin proces në krejt Ballkanin, veçanti në Kosovë, nëse Amerika nuk e merr rolin udhëheqës, atëherë është problem të kemi sukses në të ardhmen. Për të bërë një kthesë të rëndësishme në ditët dhe muajt në vijim, duhet të ulemi me Amerikën që propozimin tonë në përputhje me ato parime ta prezantojmë para liderëve të Amerikës, dhe natyrisht të merremi vesh me ta se cilët do të jenë hapat tutje. Nuk besoj që e pranon Serbia propozimin që është në përputhje me Kushtetutën, por nuk mund të shkojmë përtej kësaj.” – ka thënë Osmani.
Ajo ka treguar edhe si do të jetë zgjidhja duke u shprehur kështu:
“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive.” – ka thënë Osmani.
Komentet për deklaratën
Në anën tjetër, kjo deklaratë e Osmanit nuk kaloi pa u komentuar nga analistët e politikës.
Analisti Agon Maliqi e mirëpriti deklaratën e Osmanit dhe i dha të drejtë asaj se Kosova duhet të bëjë këtë hap drejt Asociacionit.
“Presidentja Osmani ka absolutisht të drejtë. Ky është momenti i fundit që të dorëzohet një draft i statutit i punuar me SHBA-të si garantuese. Statutin tashmë e ka “shkruar” vendimi i GJK. Le të merret Vuçiq me topin e nxehtë të (mos) pranimit të draftit të SHBA. Ndërkohë, Kosova të diskutojë bilateralisht me SHBA, Britaninë dhe Gjermaninë mbi çështjen e vendeve mosnjohëse, rrugën drejt NATO-s apo pakteve bilaterale të mbrojtjes si hapa të ndërmjetëm.” – ka shkruar Maliqi në Facebook-un e tij.
Ndërkohë, ka pasur edhe prej analistëve që e kanë kritikuar Osmani për deklaratën e saj.
Analisti Valon Syla ka pyetur se pse Qeveria Kurti nuk e ka bërë një gjë të tillë më herët.
Ai ka thënë se nuk duhet të ketë sakrifikim të policëve për të ardhë në përfundim që duhet të bëhet Asociacioni.
“500 herë kam thënë në debat në T7, se s'ka nevojë me u sakrifiku për Kosovën policë patriotë e lojal të Republikës, për me dalë me formulë tash VVjosa se duhet të ulemi bashkë me Amerikën dhe të procedojmë me Asociacion. Përnime? E pse nuk u ul Qeveria Kurti pra?” – ka shkruar Syla në Facebook.
Edhe analisti Ilir Mirena është i të njejtit mendim sikur Syla. Edhe ai ka pyetur pse është dashur të humbet kohë deri tash.
“Por, pse u desht te arrihet deri ketu, me i humb edhe disa vite te tjera per me mbrri ne piken ku kemi mundur te jemi shume kohe me heret? Pse u desht qe vendi te futet nen sanksione, pse u deshte te ndodhin gjithe keto trazira e sulme terroriste ne veri, pse u desht te acarohen raportet me aleatet tane deri ne ofendime dhe cilesime "naive", pse u desht me humb jeten polici i Kosoves Afrim Bunjaku, pse me u lendu police te tjere, gazetare, e ushtare te KFOR'i, etj.,- krejt keto per me zbatu Marreveshjen e e Oherit, dhe nenet 7 dhe 10'te? A merr dikush pergjegjesi per gjithe keto deme qe i jane ba vendit per me ardh serish ne piken zero qe Kosova te ofrohet per te perpiluar vet draftin per Zajednicen?” – ka shkruar ai në Facebook.
Mbetet të shihet se a do të ulet Kosova ta bëjë draftin e Asociacionit, por ajo që dihet është që formimit i Asociacionit është kërkesë kryesore e ndërkombëtarëve.




