Hovenier: Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se “Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin”. Ai mes tjerash bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara presin që palët t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit. Sa i përket akuzave të Kurtit ndaj BE-së, Hovenier tha se ShBA-të “NUK pajtohen me këto kritika”.
Hovenier theksoi pakënaqësinë e tij për mungesën e avancimit të dialogut dhe theksoi se ka pasur takime dhe diskutime të vështira, por ende nuk është arritur një marrëveshje për një plan të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Me siguri e keni parë deklaratën tonë publike pas takimit të dy udhëheqësve - me lehtësimin e Bashkimit Evropian - më 14 shtator. Dhe, nga Departamenti i Shtetit kemi shprehur zhgënjimin tonë që nuk ka pasur përparim.” – tha ia.
Hovenier bëri të qartë se ShBA-të nuk pajtohen me kritikat e shefit të qeverisë së Kosovës gjatë konferencës për media ku ndër të tjera tha se se Brukseli vendosi i pari Asociacionin dhe se kjo “është në kundërshtim me Marrëveshjen Bazike” dhe i bëri disa akuza të rënda emisarit Lajçak.
"Është edhe një mundësi për mua të them diçka, sepse kam parë shumë shqetësime dhe kritika për lehtësuesit e Bashkimit Evropian. Duhet të them se, nga këndvështrimi i ShBA-së, nuk pajtohemi me këto kritika. Ky nuk është vlerësimi ynë i rrethanave." - deklaroi ambasadori Hovernier.
Ambasadori ripërsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. “E dini, ne, në një masë të madhe, e mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështesim konkluzionet e lehtësuesve - në këtë rast, të përfaqësuesit të lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak.” – ka thënë mes tjerash Hovenier.
I pyetur nëse themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i është vënë prioritet Kosovës, Hovenier tha se Asociacioni është gjëja kryesore që i është kërkuar Kosovës, duke punuar paralelisht në zbatimin e zotimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
“Nëse dëgjoni me vëmendje atë që ka thënë përfaqësuesi i lartë, Borrell, pas takimit... Ai ka thënë se, si rrugë përpara, ka sugjeruar dy pista paralele. Nevoja për të ecur urgjentisht përpara me një proces të besueshëm për hartimin e statutit të Asociacionit, është një pjesë e kësaj. Dhe, kjo është gjëja kryesore që ne ia kemi kërkuar Kosovës, gjëja më e vështirë por gjëja kryesore që ia kemi kërkuar Kosovës në lidhje me zbatimin e [Marrëveshjes] së Ohrit. Por, në të njëjtën kohë, paralelisht, do të punohej në këto gjërat politike, në zbatimin e angazhimeve për normalizimin e marrëdhënieve.” – tha ai.
Ai përsëriti se edhe Kosova edhe Serbia duhet t'i kryejnë plotësisht obligimet dhe zotimet e tyre sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të zbatimit të saj.
“Dua të jem i qartë se - nga këndvështrimi i SHBA-së - ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre, të ndërmarra në Ohër, dhe me Aneksin e zbatimit [të marrëveshjes].” – tha ai.
ShBA-ja shpreson që qeveria e Kosovës do të gjejë një mënyrë për të bashkëpunuar me lehtësuesit e dialogut me Serbinë dhe për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara, tha ai. “Shpresa jonë është që edhe Qeveria e Kosovës do të gjejë, gjithashtu, një mënyrë për të punuar me lehtësuesit e BE-së [të dialogut], për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara.” – deklaroi ai.