"Pa vonesa e parakushte": ShBA-ja e BE-ja insistojnë që Kosova ta themelojë Asociacionin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kërkojnë prerazi nga Kosova që pa humbur kohë të fillojë ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sot presidenti i Zvicrës, Alain Berset, ka kërkuar nga kryeministri Kurti ta përmbush zotimin e tij për garantuar një shkallë adekuate të vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe.
Një kërkesë e tillë erdhi pas takimit të dy liderëve gjatë vizitës së Kurtit në Zvicër.
“Diskutimet adresuan edhe hapat nga marrëveshja që duhet të merren nga të dyja palët, duke përfshirë zotimin e Qeverisë së Kosovës për të garantuar një nivel adekuat të vetëmenaxhimin në komunat me shumicë serbe.” – thuhet në njoftimin e Presidencës zvicrane.
“Pa humbur kohë”
Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë në gjuhën angleze për mediumin “Pavlovic”.
Në intervistën e tij, Escobar është pyetur se cili është mesazhi i tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Të lutem, mos humbë kohë” – tha Escobar.
“Procesi i zgjerimit të BE-së aktualisht është real, dhe ka shumë presion për integrimin e Ukrainës. Prandaj, unë mendoj se kur zgjerimi të ndodhë, do të doja të shihja të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara. Por nëse nuk ecin, Ukraina megjithatë mund të ecë. Prandaj, nuk dua të humbasë më shumë kohë në diskutime teknike të sekuencimit sepse, siç kam thënë më parë, asociacioni është detyrim ligjërisht i obligueshëm. Duhet të ndodhë”, tha Escobari.
Tutje, ai tha se ShBA-të ende po presin që Kosova të ecë përpara me Asociacionin.
“Shikoni planin që propozoi Bashkimi Evropian, i cili mendoj se është shumë i drejtë. Të dyja palët duhet të fillojnë menjëherë zbatimin e kërkesave të tyre. Unë e di se në disa raste, Serbia dëshiron që Kosova të themelojë Asociacionin para se të ndërmarrë veprime nga ana e saj, dhe e di që Kosova ka propozuar që Serbia të përfundojë të gjitha pjesët e saj përpara zbatimit të Asociacionit. Por Asociacioni do të jetë një proces. Kështu që unë mendoj se ne duhet të fillojmë atë proces. Njohja e targave të Kosovës, kartave të identitetit, dokumenteve qeveritare, të gjitha këto janë pjesë e saj. Dhe duke trajtuar çështjen e strukturave paralele në kuadër të Asociacionit, mendoj se edhe ky është një proces. Kështu që unë besoj se ky proces duhet të fillojë tani. Ne ende presim që qeveria e Kosovës të tregojë se është duke ecur përpara me Asociacionin”, u shpreh Escobar.
“Pa vonesa dhe parakushte”
Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë edhe një herë thirrje që punimet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të fillojnë pa vonesa dhe parakushte.
“Ka përkrahje të plotë për ndërmjetësuesin e dialogut nga 27 vendeve anëtare, jo nga ShBA dhe Gjermania, por BE-ja. Pastaj sigurisht partneri ynë, me të cilin po punojmë shumë. Gjermania është anëtare e BE-së, kështu që qëndrimi i BE-së është qëndrimi i Gjermanisë. Kur vjen fjala të Asociacioni, pozicioni i BE-së është i qartë. Është përsëritur disa herë në konkluzime të Këshillit, dhe sërish, së fundi në këtë javë në deklaratën e 27 vendeve anëtare për dialogun Kosovë-Serbi.” – tha Stano.
“Mendimi i BE-së, apo pikëpamja dhe pritjet janë që punimet për formimin e Asocoacionit duhet të fillojnë pa vonesa dhe pa parakushte, secila palë e di çfarë duhet të bëjë dhe dihet pozicioni i BE-së…– tha ai.
