Drejtori i Radio Kosovës thotë se Rama e ka pezulluar vendimin për mbylljen e rrugës te kampusi universitar
Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili ka lënë të kuptohet se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pezulluar vendimin për mbylljen e rrugës te kampusi universitar.
Halili përmes një shkrimi në Facebook, ka deklaruar se kjo ka qenë qasja e vetme për qarkullim e veturave të RTK Radio.
“Mirëpres vendimin e krytarit të komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama për pezullimin e vendimit për mbylljen e rrugës te kampusi universitar, qasjes së vetme për qarkullimin e veturave zyrtare të mediumit publik RTK Radio (Radio Kosova 1 dhe 2) dhe për shpërndarjen e ekipeve në terren e mbulimin e ngjarjeve dhe temave me interes publik. Ky është një sinjal pozitiv i vullnetit të mirë për të diskutuar e për të gjetur një zgjidhje të përbashkët që nuk e cenon funksionimin e mediumit publik dhe dy medieve tjera, punën e gazetarëve dhe interesin e publikut për të qenë i informuar.” – ka shkruar ai.
Nuk dihet se ku e ka marrë një informacion të tillë Halili, pasiqë nga Komuna e Prishtinës nuk kanë lajmëruar për pezullim të vendimit.
Ndërkohë, në fund të shkrimit të tij, Halili ka deklaruar:
“E ritheksoj se RTK është institucion i rëndësisë së veçantë, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, që ka mision parësor informimin e publikut për ngjarjet që ndodhin, e që shpeshherë janë të paplanifikuara e paparashikuara. Përmbushja e këtij misioni ligjor ndaj taksapaguesve nuk mund të arrihet përderisa personeli ynë përballet me bllokada e vështirësi të tilla të qarkullimit për të mbërritur e raportuar me kohë nga vendi i ngjarjes.”