Drejtori i policisë: Derisa Radojiçiq e grupi i tij vazhdojnë të qëndrojnë në kufi të Kosovës, rreziku është aktiv
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka deklaruar se përderisa krimineli serb, Milan Radojiçiq dhe grupi i tij vazhdojnë të jenë të lirë, rreziku mbetet aktiv.
Këto deklarata ai i ka bërë pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Çështje të Sigurisë.
Ai tha se në pjesën e mbyllur të mbledhjes, është folur për situatën në veri dhe angazhimin e Policisë së Kosovës atje.
“Kemi folë për veriun, punën, angazhimet e policisë, në tentim të përmbushjes së misionit tonë. Policia e Kosovës ka kapacitetet e veta në funksion. Ka pasë lëvizje të forcave serbe, në kufi të Republikës së Kosovës. I kemi vërejt, i kemi monitoru, kemi kapcitet për me i monitoru.” – u shpreh ai.
Hoxha tutje theksoi se përderisa Radojiçiq dhe grupi i tij janë të lirë, si dhe qëndrojnë në kufi me Kosovën, rreziku është aktiv.
“Duhet me shpresu që mos të kemi telashe serioze. Sidoqoftë, derisa Radojiçiqi, grupi i tij terrorist është i lirë, vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, rreziku është akoma aktiv.” – tha ai.
Vlen të theksohet se Radojiçiq me një grup prej dhjetëra personave, më 24 shtator të vitit 2023, hynë brenda territorit të Kosovës ku kryen një sulm në Bajnskë të Zveçanit.
Nga ky sulm, mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku.