Dramë në terr: Blloku A3 u ndal dhunshëm, rrezik për rrjedhje hidrogjeni
Situata me energjinë elektrike vazhdon të përkeqësohet, derisa situata në KEK (vendin ku prodhohet rryma) vazhdon të bëhet gjithnjë e më dramatike.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) momentalisht është duke punuar me kapacitetin minimal, pasi që tri blloqe janë jashtë funksionit.
Blloku A5 i cili që nga korriku është ndalur për remont, blloku B2 i cili ende nuk është kthyer nga remonti edhe pse ishte parapare që të hynte në funksion më datën 26 të këtij muaji, si dhe blloku A3 i cili sot ka dalë jashtë funksionit.
Për ndaljen e punës së bllokut A3, ka njoftuar KEDS-i, përmes një deklaratë ku ka njoftuar publikun se KEK-u është duke prodhuar më pak se 400MWh energji elektrike nga 650MWh sa duhen për konsum.
Burimet e Gazetës Nacionale brenda KEK-ut kanë konfirmuar këtë njoftim duke thënë se blloku A3 i Kosovës A ka dalë nga funksioni për shkak të rrjedhjeve nga kaldaja.
Siç kishte raportuar Gazeta Nacionale muajin e kaluar, blloku A5 ishte ndalur në mënyrë të dhunshme si pasojë e frikës nga shpërthimi.
E njëjta ka ndodhur edhe sot me bllokun A3, që është ndalur në mënyrë të dhunshme si pasojë e rrjedhjeve të ujit në gjeneratorë.
Ndalja e dhunshme mund të dëmtojë tankun e hidrogjenit në këtë bllok.
Por, burimet e gazetës bëjnë të ditur se kjo nuk është e para herë që ka pasur rrjedhje të tilla në gjeneratorë.
Në vitin 2014, ky bllok kishte eksploduar nga rrjedhjet e hidrogjenit – me rrezikun e një shpërthimi që ishte i madh edhe tash, për shkak se ndalja e dhunshme e bllokut mund të shkaktojë dëme të mëdha.
Burimet e gazetës kanë bëre të ditur se ende nuk dihen demet të cilat janë shkaktuar nga kjo ndalje e dhunshme pasi që si pasojë e temperaturës së lartë në kaldajë ekipet punuese nuk kanë mundur që të sanojnë problemin.
Sipas ekspertëve ende nuk është e përcaktuar koha se kur blloku A3 mund të kthehet në punë.
Ndërkohë që bllokut B2 do t’i duhet të paktën një javë më shumë se koha e paraparë për t’u rikthyer në funksion.

