Dramë në kryeqytet: A po prishet koalicioni LDK-PDK në Prishtinë?
Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosvës (PDK) duket se ka gjasa të prishet (nëse nuk është prishur tashmë). Nacionale sjell detaje.
Koalicioni LDK-PDK ishte formuar me shumë bujë pas fitores së Përparim Ramës ndaj Arben Vitisë së Vetëvendosjes në fund të vitit 2021.
Dhe deri tash, çarje në këtë lidhje nuk janë vërejtur. Të paktën jo publikisht.
Nacionale marrë vesh se ky koalicion ka rrezik të prishet, në një dramë të vërtetë politike që mund të ketë pasoja tjera politike edhe në nivel qendror.
8 qershori
Më 8 qershor është thirrur një seancë e jashtëzakonshme e kuvendit komunal. Në atë mbledhje që tashmë ka marrë nënshkrimet e nevojshme (edhe nga asamblistë të opozitës, që kryesohet nga Vetëvendosje) parashihet shkarkimi i anëtarëve të komisioneve komunale të aksionarëve të ndërmarrjeve publike komunale të Prishtinës që ishin emëruar, zgjedhur nga Kuvendi Komunal.

Nacionale merr vesh se sherri mes dy partive në pushtet komunal ka të bëjë me mos-mbështetjen e PDK-së për hartat zonale.
Kryetari i komunës së Prishtinës, qysh në shtatorin e vitit të kaluar kishte miratuar vendimin për formimin e një komiteti konsultativ për Hartimin e Planit Zhvillimor dhe Hartës Zonale. Ky plan – që orienton zhvillimin e kryeqytetit - do të ishte tetë-vjeçar.
Deri tash, nuk dihet saktë se cilat ishin mospajtimet specifike mes palëve, por dihet që PDK-ja nuk po pajtohet.
Donjeta, jashtë?
Nënkryetarja e komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, ka pasur marrëdhënie 'të komplikuar' me partinë e saj. Në disa raste, ajo ka munguar në tubime të rëndësishme, derisa në disa raste tjera është parë derisa bëhej ngapak me pushtetin qendror.
Prishja e koalicionit LDK-PDK - që efektivisht i dha pozitën e nënkryetares - nuk dihet se në cilën anë do ta gjente znj. Sahatçiu. Potencialisht, në atë rast mund të merrej vesh saktësisht nëse znj. Sahatçiu do të vazhdonte të ishte pjesë e PDK-së apo do të ndahej përfundimisht prej saj.
Nacionale ka provuar që ta thërras znj. Sahatçiu por ajo nuk ka hapur telefonin deri tash.
PDK në këtë koalicion qeveritar erdhi pas një rezultati befasisht të mirë në zgjedhjet e 31 tetorit 2021 për asamble komunale. Kjo parti politike i kishte fituar 9 asamblistë, ose vetëm pesë më pak se LDK-ja. Partia më e madhe në kryeqytet, megjithatë, vijoi të ishte Vetëvendosja që i ka 17 asamblistë.
Prishja e koalicionit do ta linte kryetarin Përparim Rama me një pozitë shumë më të dobësuar në kuvend komunal, me mungesë kontrolli të 1/3 së tij (Kuvendi Komunal përbëhet nga 51 asamblistë).
