Drafti i Ramës ka “autonomi territoriale” për serbët, thotë Konjufca
Propozimi i Ramës për Asociacionin ka “elemente autonomie territoriale për serbët”, ka thënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pyetur rreth draft-Statutit që ky i fundit e ka nisur në Paris, Berlin dhe Uashington. Konjufca madje tha se ai draft-Statut nuk është në përputhje as me Kushtetutën e Kosovës, ndonëse hollësi rreth draftit nuk dha.
“Ai pretendon që është në përputhje me Kushtetën e Kosovës mirëpo mua m’u ka dukur që elemente të caktuara të propozimit të zotit Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës, dhe kjo është në kundërshtim me interesat e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Mes tjerash, ai u shpjegua edhe mospritjen e Ramës nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij të sotme në Prishtinë. “Janë lënduar raportet mes tyre”, tha kryekuvendari.
“Qeveria shqiptare ka pas problem me qeverië kosovare, sepse pa kurrëfarë arsye madhore, substanciale, anuloi mbledhjen aq shumë të pritur nga qytetarët, mbledhjen e dy qeverive”, tha ai, ndërsa shtoi se Republika e Kosovës e ka përjetuar si “lëndim” këtë anulim të mbledhjes qeveritare në Gjakovë.
“Unë do ta kisha përdorur shprehjen lëndim. Kur të lëndon dikush. Ne kemi qenë të lënduar. Por, jo aq të lënduar sa të mos e presim fare”.
Në lidhje me atë se çfarë pret nga vizita e Ramës në Beograd, Konjufca gjithashtu pati përgjigje. Tha se Rama duhet të “sensin tonë” të të kuptuarit e situatës çfarë po ngjanë në veri; dhe jo të huaj ose të Serbisë.
“I kërkuam ta ketë sensin tonë të situatës, përshputshmëri të sensit, në relacion me çka përjetojmë ne nga Serbia...shumë lehtë do të dilnin nga kjo situatë...por kur kemi dallime në të kuptuarit e asaj se çfarë po ndodh në veri të Kosovës, vërtetë mendoj që nuk jemi duke i shërbyer qytetarëve dhe kombit tonë”, tha Konjufca.