Drafti i Asociacionit dhe seanca “speciale” e Këshillit të Sigurimit për Veriun: Rama dhe Vuçiq me ‘çehre’ të zymta - NACIONALE

Drafti i Asociacionit dhe seanca “speciale” e Këshillit të Sigurimit për Veriun: Rama dhe Vuçiq me ‘çehre’ të zymta

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Me fytyra pa disponim u ngjitën në konferencë për media për të treguar për bisedimet që zhvilluan në Beograd. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kësaj here ishin pa shkëlqimin e zakonshëm të marrëdhënieve të mira me të cilat kaherë kanë bërë PR-in. Probleme të shumta u rrinin pezull në ajr, për të cilat edhe vetë u shprehën se s’do t’i diskutojnë për të ndikuar për keq në situatën në veri të Kosovës. Megjithatë, rreth fundit të konferencës një telash u doli nga pyetjet e gazetarëve. Dhe atë, për Draft-Statutin e Asociacionit. Edhe ajo pak buzëqeshje që e argëtonin u shua, ku tashmë nisën t’i ndërpresin edhe njëri tjetrin. Gjithashtu Rama u habit me kërkesën e Vuçiqit për seancë urgjente në Këshill të Sigurimit rreth veriut të Kosovës. “Nuk po kuptoj për çka po flet”, do të shprehej ai. Si rrodhi e krejt kjo?

Vuçiq adresimin e tij e nisi me atë se si afërsia e tij me Ramën kishte thyer “heshtjen” e madhe në marrëdhëniet historikisht mes Shqipërisë dhe Serbisë. Do të niste me atë se si kjo punë e ndërsjellë e ndërroi njëherë e mirë “trashëgiminë e keqe” shqiptaro-serbe. Dhe krejt kjo, tha ai, rastis të jetë e njëkohshme me nisjen e inciativës së Ballkanit të Hapur; iniciativë kjo nga e cila gjithashtu Rama vetëm ditëve të fundit u ftoh.

Sigurisht se folëm rreth çështjeve rajonale dhe vështrimet e tona rreth Kosovës, por nuk mendoj që është mirë të shprehem në prezencë të Ramës, do ta lëmë sa për tash, për vendet tona, dhe për bisedimet e tona të mëtejme sonte”, tha Vuçiq në konferencë për shtyp.

Edhe Edi Rama, u pajtua në atë se, për shkak se nuk pajtohen rreth vështrimeve sa i përket situatës në veri të Kosovës, të mos shprehen haptaz “për të mos ndikuar në situatën”. Megjithatë, ai i ra borisë së paralajmërimit, për të mos shkaktuar “Donbas të ri”.

Duhet gjetur një vështrim i përbashkët”.

Këtu do të nxjerrte kokën Draft-Statuti i Edi Ramës, dërguar në Paris, Berlin dhe Bruksel. Vuçiq, u shpreh tejet i palumtur rreth saj, ndonëse tha se nuk e ka parë. Këtu ata do të ndërprenin njëri tjetrin.

Nuk e kam parë propozimin e Edit, por më duhet ta referojë atë te Marrëveshja e Brukselit”, tha ai.

“Pasi e përmende propozimin tim”, tha Rama, “është një kontribut që e kam bërë vetë unë...dhe më vjen keq që dikush nuk dëshiron ta kuptojë që kjo është një kontribut në emër të Shqipërisë dhe që për ta nuk ka vlerë”.

Gjithashtu Rama, do ta kritikonte aty për aty, kërkesën e Vuçiqit për të thirrur një seancë speciale të Këshillit të Sigurimit për t’u marrë me veriun e Kosovës. “Nuk e di për çka po flet Presidenti Vuçiq”, tha Rama.

Kur jemi te Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ne jemi anëtar i NATO-s, nuk jemi superfuqi e as nuk e kemi kapacitetin për t’u sjellur si të tillë, por jemi me fat të jemi miq me superfuqitë. Dua ta kuptoj këtë ide, por nuk e kuptoj se çfarë dëshiron të thotë Presidenti kur thotë që Këshilli i Sigurimit duhet të merret me veriun e Kosovës. Por, pozicioni i Këshillit të Sigurimit është pozicioni i shteteve që e përbëjnë atë. Kam frikë që tensionet të na shqetësojnë busullën tonë”, ka thënë Rama.

Vuçiq do t’i ndërhynte për Draft-Statutin, për çka i tha se “Serbia i zgjedh vetë kumbarëte vet” në atë që Rama tha se Franca dhe Gjermani janë “kumbarët” e Marrëveshjes Bazë.

Rama ia ktheu se “Franca dhe Gjermania e kanë bërë planin frankogjerman”.

Vuçiq do të ndërhynte sërish. “Ju e dini, në Serbi, zgjedhen vetë kumbarët, në vendin tonë kumbarë nuk janë ato që të imponojnë vendime”.

Lajme të ngjashme