“Dorëzohu prokuror; linçimi i Isufajt”: Sulmet e frikshme të Kurtit dhe vartësve të tij ndaj sistemit të drejtësisë - NACIONALE

“Dorëzohu prokuror; linçimi i Isufajt”: Sulmet e frikshme të Kurtit dhe vartësve të tij ndaj sistemit të drejtësisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së djeshme, pushteti sërish është marrë me sistetmin e drejtësisë. Kësaj radhe, në shënjestër të kritikave të Qeverisë Kurti ishte sistemi prokurorial. Më saktësisht, kryeministri Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, e komentoi arrestimin e kryeshefit të Bordit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, duke hedhur baltë mbi prokurorinë.

Në fakt, Kurti e zuri në gojë edhe ermine Blerim Isufajt, kandidatit për kryeprokuror të Kosovës, që nuk po dekretohet nga presidentja Vjosa Osmani. Edhe mosdekretimi i Isufajt si kryeprokuror i shtetit, është komentuar nga njohësit e ligjit, si një goditje ngaj Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Por kjo nuk është hera e parë që pushteti ka sulmuar institucionet e sistemtit të drejtësisë, të cilat sulme janë kritikuar gjerësisht nga opozita e analistët e politikës. Madje, në disa raste ka reaguar edhe vetë sistemi i drejtësisë, posacërisht ai prokurorial, që përmes komunikatave për media, e dënonte gjuhën e pushtetit.

Sulme, sulme, sulme…

Në fakt, asnjë institucion i sistemit të drejtësisë nuk shpëtoi nga deklaratat e komentet e ashpra të pushtetit. Megjithatë, të fillojmë nga goditja e fundit e pushtetit ndaj prokurorisë dhe prokurorit Isufaj. Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Kurti e komentoi figurën e Isufajt, duke e bërë të qartë se ai nuk do të jetë kryeprokuror, vendim i cili realisht është në duar e Osmanit.

“Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj... bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenën tonë politike që me rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Asanajt, të cilën e kategorizoi si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopës, e shndërroi në vrasje.” – tha ai.

Kaq i ashpër me prokurorinë, por edhe me gjyqësorin, Kurti ishte treguar edhe në një rast tjetër. Në momentin e lirimit në arrest shtëpiak të serbit Dejan Pantiq, që akuzohet për sulm ndaj institucioneve në veri, Kurti ishte parë shumë nervoz. Madje, shefi i ekzekutivit kishe pyetur se “kush është ai prokuror” që e ka bërë këtë kërkesë dhe “kush është ai gjyqtar” që e ka aprovuar atë.

“Nuk e di këtë çështjen gjyqësore, procedurale të atij që është i pandehur që po mbahej në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Në qëndrim të paraburgimit e ka statusin e të paraburgosurit por njëkohërisht është i pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë unë kam dëgjuar meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte problem me zemër, do të mund të dërgohej në spital që është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësori. Mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm, të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtarë se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon.” - tha Kurti.

Kohë më parë, me prokurorinë i doli punë edhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e akuzoi këtë sektor të drejtësisë për manipulim të rastit e activist të VV-së, Astrit Dehari. Madje, përmes një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, vitin e kaluar, prokuroria ishte akuzuar për tentim të vrasjes së drejtësisë.

“Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e serishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë.” – theksohej në këtë komunikatë.

Madje, gjatë një seance ku po akuzohej për hedhjen e gazit lotsjellës, Haxhiu e kishte bërë një deklaratë të pamatur, për të cilën opozita i kishte kërkuar edhe dorëheqjen.

Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”- është shprehur Haxhiu.

Sigurisht, kritikave të pushtetit nuk i shpëtoi as Gjykata Kushtetuese, e cila u vu në shënjestër të pushtetit për shkak se e shpalli jokushtetues ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në mënyrë goxha të rafinuar, Kurti e kishte vënë në pikëpyetje integritetin e gjyqtarëve.

“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me shoqërinë civile, dhe nuk mjafton komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën Kushtetuese.” – theksonte ai.

Në lidhje me këtë temë, ministrja Haxhiu kishte deklaruar se për Gjykatën Kushtetuese më i rëndësishëm është interesi individual.

“Së pari është paradoksale për ne se si në pikën e parë të njoftimit Gjykata Kushtetuese thekson se përbërja aktuale e KPPK-së është korporatiste. Por në pikën e fundit të njoftimit thonë se nuk mund t’i ndërpritet anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës mandatit përmes shortit. Pra për Gjykatën Kushtetuese më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së dhe atë jo të gjithëve, por disave, sesa interesi i përgjithshëm” – u shpreh ministrja Haxhiu.

Kujtojmë që kryeshefi i Bordit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tashmë gjendet në paraburgim. Këtë arrestim e ka kritikuar edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në VV, e cila po ashtu e komentoi prokurorin Isufaj.

“Do të shihni këto javë e muaj shumë urdhra nga Prokuroria Speciale. Vjet në këtë kohë bën shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim.” – shkroi ajo.

Ndryshe, deklaratat e djeshme të Kurtit janë cilësuar si sulme direkte ndaj drejtësisë në Kosovë.

Lajme të ngjashme