Doracaket për edukatën seksuale, Abdixhiku: Komunat e LDK-së e detyruan Qeverinë të ndryshoj pozicion
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar publikisht komunat e LDK-së që refuzuan përmbajtjen e teksteve të Edukatës Seksuale.
Ai ka bërë me dije se ky refuzim e ka detyruar Qeverinë e Kosovës të marr sot vendimin për largimin e doracakeve në fjalë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se pas 9 shkurtit Qeveria e LDK-së do të përmirësojë përmbajtjen e këtyre teksteve.
“Dua të shpreh falënderim publik e mirënjohje të 9 komunave të udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që refuzuan pa hezitim përmbajtjen e teksteve të Edukatës Seksuale - dhe kështu detyruan Qeverinë të ndryshoj pozicion radikalisht! Nga insistimi mbrojtës i përmbajtjes së teksteve në Kuvend, tek tërheqja e plotë e tyre! Mirënjohje Prishtinës, Pejës, Lipjanit, Istogut, Vitisë, Fushë Kosovës, Obiliqit, Junikut e Dragashit! Falënderoj dhe qytetarët e Kosovës për reagimin e shpejtë e të vendosur; dhe kështu bërjen qartë të orientimin e popullit të Kosovës. Pas 9 shkurtit, si Qeveri e Ndryshimit, do të përmirësojmë përmbajtjen e teksteve në fjalë në nivel nacional! Si parti e qendrës së djathtë, familja dhe fëmija do të jenë dhe të mbrojtur dhe të përkujdesur!”, ka shkruar Abdixhiku.