“Do të mund të...në fund të vitit”: Mesazhi 'kondicional' i Ursula von der Leyen për 800 milionë eurot
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka qëndruar të shtunën për vizitë në Kosovë, ku zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti. Me këtë të parën, ajo mbajti edhe një konferencë për media, ku foli rreth Planit të Rritjes.
Nuk dihet saktësisht se kur do të ekzekutohet pagesa e parë nga një pjesë e shumës prej mbi 880 milionë eurove që mund të përfitojë Kosova nga ky plan.
Vetë von der Leyen, nuk e tha me siguri një gjë të tillë. Fillimisht, gjatë konferencës për media, ajo tha se një “parafinancim” prej rreth 60 milionë eurove, “do të mund” të lirohej para fundit të vitit 2024.
“Duhet të them Kosova ka bërë një punë të shkëlqyeshme në agjendën e reformës, dhe urime juve dhe ekipit tuaj.
Tani ne duhet të jemi në gjendje të fillojmë me një parafinancim prej më shumë se 60 milionë euro që do të mund të bëhej para fundit të vitit.” – u shpreh ajo, transmeton Nacionale.
Më pas, Komisioni Evropian, në një postim në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook, tha po ashtu se pagesa e parë “do të mund të bëhej” para fundit të vitit.
“Në përgjithësi, më shumë se 880 milionë euro janë në dispozicion për Kosovën sipas Planit të Rritjes.
Duke filluar me një pagesë të parë që mund të vijë deri në fund të vitit.” – thuhej në këtë postim.
Parakushti për Kosovën
Të mërkurën, Komisioni Evropian miratoi agjendat e reformave për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, kjo pas opinionit pozitiv të shteteve anëtare.
Sipas agjendave të reformave, pesë qeveritë e shteteve të Ballkanit Perëndmorë, angazhohen për reforma socio-ekonomike që do të ndërmerren sipas Planit të Rritjes gjatë periudhës nga viti 2024 deri në vitin 2027.
Megjithatë, tashmë është bërë me dije disa herë se për Kosovën dhe Serbinë ekziston një parakusht shtesë në raport me shtetet e tjera.
Përveç kushteve që janë vendosur për të gjitha shtetet, në pjesën e parakushtit thuhet:
"Parakushtet për ruajtjen e mekanizmave demokratikë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një parakusht i veçantë aplikohet në rastin e Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të përkushtohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, përfshirë implementimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut, të cilat do të vlerësohen duke marrë parasysh rolin dhe kontributin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së".
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka theksuar se pagesat do të bëhen dy herë në vit, deri në vitin 2027, bazuar në kërkesat e dorëzuara nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe verifikimit të kushteve.
Të tjera kërkesa nga KE janë:
Para disbursimit të fondeve duhet të plotësohen kushtet e përgjithshme të stabilitetit makro-financiar dhe menaxhimit të shëndoshë të financave publike.
Kushtet e pagesës, pra përmbushja e hapave sasiorë dhe cilësorë, në të cilët ndahen reformat.