Djokoviq: Mund të dënohem, por s’ndalem për Kosovën ku u lind babai im - NACIONALE

Djokoviq: Mund të dënohem, por s’ndalem për Kosovën ku u lind babai im

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tenisti serb Novak Djokoviq e ka pranuar se mund të ndëshkohet për mesazhin politik në lidhje me Kosovën gjatë grand slamit prestigjioz French Open, por ka këmbëngulur se do të vazhdojë t’i përkrahë serbët e Kosovës.

Pas fitores kundër Aleksandar Kovacevic (6-3, 6-2, 7-6), ai shkroi në kamerë “Kosova është zemra e Serbisë – ndaleni dhunën”, duke thënë mesazh të qartë politik.

Djokoviq, i cili pasi Kosova e shpalli pavarësinë më 2008 doli me një mesazh kundërshtues duke e quajtur Kosovën Serbi, vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë edhe 15 vite pas.

“Unë nuk jam politikan dhe nuk e kam për qëllim të përfshihem në debate politike. Kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe si serb më lëndon shumë gjithçka që po ndodh në Kosovë”, tha Djokoviq.

Ai po i referohej tensioneve në veri të Kosovës, të cilat u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për t’ua mundësuar kryetarëve të rinj shqiptarë ta nisin punën pasi dolën fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.

Protestuesit serbë, shumica të maskuar, ishin të dhunshëm ndaj policisë së Kosovës dhe KFOR-it, duke i lënduar rreth 30 ushtarë paqeruajtës në Kosovë.

Djokoviq, babai i të cilit u lind në Zveçan, njihet si mohues i krimeve serbe në Bosnje dhe Kosovë dhe ka qenë kundërshtar i zëshëm i pavarësisë së Kosovës.

“Nuk e di çfarë do të ndodhë, dëgjova që ka pasur shumë kundërshtime (për mesazhin tim) në rrjetet sociale dhe nëse unë do të ndëshkohem, por unë nuk zmbrapsem, do ta bëja përsëri”, këmbënguli 36-vjeçari.

Ai shtoi: “E pakta çka mund të bëj është të ofroj përkrahje si figurë publike, veçanërisht si i biri i një njeriu që u lind në Kosovë.”

“Qëndrimi im është i qartë: unë jam kundër luftërave, dhunës dhe çdo konflikti, siç e kam thënë gjithmonë publikisht. Kosova është rast precedent në ligjin ndërkombëtar.. më vjen shumë keq për gjendjen në të cilën jemi – Kosova është vatra jonë, manastiret tona më të rëndësishme janë atje”, pretendoi Djokoviq.

Tenisti serb është parë edhe duke u shoqëruar me kriminelë lufte nga Serbia.

Hiç më larg se vitin e kaluar, Djokoviqi u fotografua përkrah ish-komandantit të njësisë famëkeqe paramilitare dhe kriminale të Serbisë “Ujqit nga Drina”, e cila është përgjegjëse për kryerje të gjenocidit kundër myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë.

Në Serbi Jolovic nderohet si shpëtimtari i jetës së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladic, gjatë luftës në Bosnje në fillim të viteve 1990-ta.

Në vitin 2017, Gjykata e OKB-së e shpalli Mladicin, ish-gjeneralin serb të Bosnjës, fajtor për krime lufte në Bosnje dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.

Lajme të ngjashme