Dje u takuan, Kurti e Borrell sot me reagime të ashpra në Twitter: Çka u fol në Bruksel për arrestimet? - NACIONALE

Dje u takuan, Kurti e Borrell sot me reagime të ashpra në Twitter: Çka u fol në Bruksel për arrestimet?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zhvillimet e sotme në veri ku u arrestua një person nga Policia e Kosovës nën dyshimet se ka sulmuar ushtarët e KFOR-it, si dhe aktiviteti i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, shkaktuan një reagim të krediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili u shpreh i alarmuar. Nuk vonoi shumë, përgjigjen ia dha edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Këta të dy, dje u takuan në Bruksel, dhe një prej temave, siç bëri të ditur vet shefi i diplomacisë evropiane, ishin edhe “arrestimet”. Çka tha ai?

Pasditen e së premtes kryediplomati Borrell shkroi në Twitter në lidhje me zhvillimet e sotme, ku u shpreh i “alarmuar”, duke thënë se “përshkallëzimi po bëhet edhe më i rrezikshëm”.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” – ka shkruar ai.

Ndaj këtyre fjalëve, nuk vonoi shumë në reagim kryeministri Kurti, i cili përmes tri cicërimave në Twitter, vendosi t’i përgjigjet kryediplomatit evropian, të cilin e takoi dje.

Kurti, deklaroi ushtrimet e FSK-së në Mitrovicë të Jugut ishin të planifikuar, dhe KFOR-i ishte i informuar. Ai madje, tha se dezinformimi është “i rrezikshëm dhe i papranueshëm”.

“Ushtrimet e sotme të FSK-së në Mitrovicë të Jugut janë një aktivitet i planifikuar, për të cilin KFOR-i ishte i informuar. Kishte 215 ushtarë nga garnizoni “Minatori” deri në Frashër dhe pas. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.” – u shpreh ai.

Në fund të shkrimit të tij, Kurti e pati edhe një thirrje duke u shprehur si vijon: ““Duke shpërndarë panikë dhe pretendime të rrejshme, vetëm nxiten tensione dhe ndihmojnë ata që tentojnë të ekskalojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutem konfirmoni burimet tuaja dhe prisni për informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës, para se të vendosni që të përfshiheni në transmetim të lajmeve apo të parashikoni ngjarjes”.

Çka u fol dje për “arrestimet”?

Kosova ka arrestuar deri më tani një numër personash të nacionalitetit serb, për vepra që lidhen kryesisht me zhvillimet e javëve të fundit në veri.

Serbia ndërkaq, ka “kidnapuar” tre zyrtarë policorë kosovarë, dhe përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtarë për lirimin e menjëhershëm të tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Në lidhje me arrestimet, ka folur dje pas takimeve që pati me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, shefi i diplomacisë evropianë, duke thënë se “arrestimet qoftë arbitrare apo ligjore, janë të papranueshme”.

“Ne biseduam edhe për arrestimet. Unë e nënvizova se arrestimet qoftë arbitrare ose ligjore, ose keqtrajtimi i të burgosurve, është plotësisht i papranueshëm.” tha ai.

Këtu, Borrell e ka përmendur edhe kidnapimin e tre zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, për të cilët tha se janë në “mbajtje”.

“Unë gjithashtu e theksova te presidenti Vuçiq se tre policët e Kosovës të mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Dhe për të përmbledhur, ne kemi identifikuar rrugët përpara” – deklaroi ai.

Vlen të theksohet, se para disa orësh ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se “kanë parandaluar një sulm terrorist në veri”, ku është gjetur municion në një veturë me targa serbe.

Megjithatë, deri më tani aleatët ndërkombëtarë nuk kanë reaguar për këto zhvillime.

Lajme të ngjashme