“Dje paralajmëroi luftë, sot te miqtë në Norvegji” – Shumë reagime ndaj Kurtit pas raportimit të Nacionales - NACIONALE

“Dje paralajmëroi luftë, sot te miqtë në Norvegji” – Shumë reagime ndaj Kurtit pas raportimit të Nacionales

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale gjatë ditës së djeshme raportoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar në Norvegji.

Kjo me arsyen për të festuar Krishtlindjet tek familja e bashkëshortes. Nacionale publikoi edhe pamjet teksa Kurti shihej duke u larguar nga aeroplani.

Ky raportim ka shkaktuar jo pak reagime në Kosovë, nga partitë në opozitë apo analistë e komentues në rrjete sociale.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Kurti të shtunën paralajmëroi luftë, e të dielën shkoi në Oslo.

“Nuk kam se si ta kualifikoj ndryshe përpos se si marrëzi. Një ditë pasi paralajmëroi në konferencë për shtyp sulmin e planifikuar të Serbisë kundër Kosovës, Kryeministri Kurti vet shkoi në Oslo për vizitë private, e partia e tij hyri në garë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Kosova meriton më mirë”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Analisti Valon Syla ka thënë se fakti që Kurti shkoi në Norvegji pas deklaratave për luftë, tregon shumë.

“Fakti se Albin Lideri, pas shume llafeve për luftê, ja therri për Norvegji, tregon shumë. Qasi rrene është apo kaq serioze eshte pra lufta qe permendet, sa që i pari i Kosovës e ka luksin me leshu vendin per festa të fundvitit, për me shku te gruja në Norvegji. Arsyeja pse Kurti e Osmani flasin për luftë, është me kalu asociacionin, qe pastaj me i rrejt apet kosovaret se u desht me kry zajednicën, që me shpetu prej lufte. Dhe mos u çuditni, qe kete rrenë mund te ja fut Kurti nga Greqia diku, masi e kryn në Norvegji. Rrenc dhe manipulues i madh është. Shpejt i ka dalë boja”, ka shkruar analisti Syla.

Nacionale dje publikoi videon ku Kurti shihej teksa zbarkonte në Oslo. Kjo një ditë pasi në një konferencë për media deklaroi se ka rrezik për sulme të reja nga Serbia.

“Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj. Deri në shtator të këtij viti, ato janë shfrytëzuar nga turistët me qira. “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe Hotel “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq, e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, e tjetra nga Kryeministrja Ana Bërnabiq”, tha Kurti.

“Njëkohësisht, një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në “Pasuljanke Livade”, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, deklaroi kryeministri.

Lajme të ngjashme