“Ditari i fushatës”: Si shkoi dita e gjashtë? - NACIONALE

“Ditari i fushatës”: Si shkoi dita e gjashtë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tashmë fushata e ka marrë rrugën e saj. Në ditën e gjashtë të fushatës zyrtare për zgjedhjet e 9 shkurtit, partitë politike vazhduan në një rrugë dykahore: në njërën anë, takime e tubime me elektoratin, ndërsa në anën tjetër, paraqitje publike në televizione e debate politike. Gjithashtu, në mbrëmje u publikoi një sondazh, që u kritikua goxha nga analistët. Çfarë ndodhi në ditën e gjashtë të fushatës?

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pasur një agjendë të ngjeshur, duke realizuar disa takime, por edhe një paraqitje mediale në mbrëmje në “Pressing” në T7. Gjatë ditës, ai vizitoi një kompani në Gjakovë.

Këta janë patriotët modern të vendit! Prandaj shteti nuk i ka armiq bizneset!

Sektori privat është motorri i ekonomisë sonë – prandaj bizneset si Rronifer do të jenë partnerët tanë në ndërtimin e një Kosove më të fortë. Me qeverinë tonë, ky partneritet do të jetë baza e zhvillimit ekonomik, dhe bashkë me ta do t’i krijojmë kushtet që bizneset të rriten, të investojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e çdo qytetari” – ka shkruar Abdixhiku.

Pasdite Abdixhiku mbajti një takim në Rahovec.

“LDK është në momentet më të mira tash e sa kohë!

Shpresa që kërkon ndryshimin gjithmonë e gjen rrugën, dhe Lidhja që lëshon kushtrimin gjithmonë e gjen popullin! Prandaj sot jemi bashkë! Prandaj me 9 shkurt do ta bëjmë ndryshimin e madh!” – ka shkruar Abdixhiku.

Edhe Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër, ishte goxha aktiv. Pak a shumë njëjtë sikurse Abdixhiku, Hamza mbajti tubime dhe u paraqit bashkë me një pjesë të ekipit të tij në “Rubikon” të Klan Kosovës.

Hamza tubimin e mbajti në Skënderaj, që është vendlindja e ish-udhëheqësit të PDK-së, Hashim Thaçi.

“Shumë entuziazëm dhe energji në Skenderaj. Shumë vullnet dhe besim për Kosovën që mundet ma mirë. E dimë çfarë i duhet Kosovës. E dimë drejtimin që duhet ta marrë vendi ynë.

Drenica është vendi i duhur për ta marrë energjinë e nevojshme për fitoren tonë.

Vendosni për numrin 131. Vendosni për Kosovën që mundet ma mirë" – shkroi mbrëmë Hamza.

Për dallim nga dy kandidatët e opozitës, Albin Kurti, kryeministër i tanishëm dhe kandidat i VV-së për kryeministër, nuk doli në ndonjë medium, pasi VV-ja ka vendosur t’i bojkotojë disa prej televizioneve më të mëdha në vend.

Gjatë ditës së djeshme Kurti qëndroi në Istog.

“Bashkërisht e masivisht, si një lëvizje e me Lëvizjen, drejt fitores e deri në fitore, në Kosovë e në Istog, në Republikë cep më cep, me numrin 118, për koalicionin VETËVENDOSJE!-GUXO-Alternativa” – shkroi mbrëmë Kurti.

Ndërsa Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, qëndroi në Rahovec, ku mbajti një tubim partiak.

“PO-ja e madhe e Rahovecit për Kosovën Fituese na jep forcë mos me u ndalë

Kemi udhëtuar bashkë, në ditë të vështira e në ditë të mira.

Aleanca jonë me qytetin e traditës e të trimërisë, të familjes e të bujarisë, i ka qëndruar kohës.

Si gjithmonë edhe sot na dhanë shpirt e fuqi për Kosovën Fituese-137” – ka shkruar Haradinaj.

Në mbrëmje u publikua një sondazh për të cilin ka shkruar Nacionale në mënyrë të hollësishme.

Lajme të ngjashme