E dhimbshme: Ambasadorët e QUINT-it bojkotojnë pritjen Osmanit e Kurtit për Ditën e Çlirimit - NACIONALE

E dhimbshme: Ambasadorët e QUINT-it bojkotojnë pritjen Osmanit e Kurtit për Ditën e Çlirimit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Duket se marrëdhënia e trazuar mes Kosovës dhe aleatëve të saj, pra ShBA-së dhe të tjerëve, ende po i ndikon raportet mes palëve. Pas "sanksionit" të parë, që ishte largimi i FSK-së nga ushtrimet e përbashkëta me NATO-n në "Defender 23", duket se një tjetër "sanksion" ka ndodhur sot. Në fakt, "sanksioni" i sotëm ka më shumë natyrë simbolike, por megjithatë është jashtëzakonisht i hidhët. Siç raportohet në media, ambasadorët e QUINT-it, e kanë bojkotuar ceremoninë shtetërore për nder të përvjetorit të 24-të të çlirimit të Kosovës.

Klan Kosova ka raportuar se ambasadorët e vendeve të QUINT-it, pra ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, e kanë bojkotuar pjesëmarrjen në pritjen shtetërore të Ditës së Çlirimit.

Në raportimin e tyre, Klan Kosova shkruan se “në këtë ceremoni të organizuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, nuk janë parë as krerët e opozitës”.

Në lidhje me këtë çështje, ka raportuar edhe “Paparaci”, e cila duke u thirur në burimet e saj, shkruajti se ky bojkotim vjen si masë “ndëshkuese” ndaj Kosovës për shkak të mosdëgjimit ndaj ShBA-ve dhe aleatëve të tjerë rreth situatës në veri të Kosovës. Për këtë çështje, ka raportuar edhe mediumi "Kallxo.com", duke shkruar se në ceremoninë shtetërore "mungoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera të QUINT-it".

Për mungesën e ambasadorëve të QUINT-it është deklaruar Presidenca e Kosovës. Në një prononcim për Paparacin, ata kanë theksuar se aryseja se pse munguan ambasadorët e QUINT-it është se "diplomatët ndodhen jashtë vendit."

Marrëdhënia e trazuar...

Ndryshe, Kosova dhe vendet e QUINT-it kanë pasur disa përplasje kohëve të fundit në lidhje me çështjen e veriut, ku që nga 26 maji ka pasur trazira e tensione, për shkak të hyrjes së kryetarëve të rinj të katër komunave në veri në objektet e komunave. Për krejt këtë marrëdhënie të trazuar mes Kosovës dhe ShBA-së kanë folur edhe diplomatët amerikanë. I pari që foli publikisht ishte Jeff Hovenier, e cili e cilësoi situatën me veriun sikurse të ishte "shtëpia në flakë".

“Jemi shumë të shqetësuar për situatën në veri dhe besojmë që kjo krizë nuk ishte e nevojshme. Veprimet e ndërmarra të premten për të marrë qasje në ndërtimet publike nuk ishin të koordinuara me SHBA-të, dhe kur e morëm vesh fuqishëm thamë jo sepse parashikuam pasojat që po i shohim tash. Besojmë që kishte impakt negativ për imazhin e Kosovës dhe i dëmtoi përpjekjet për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe siç e kemi thënë (Sekretari Blinken) kryeministri po i afekton raportet mes Kosovës dhe ShBA-së.” – tha në hyrje të fjalës së tij, z. Hovenier.

Ndërsa Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, kishte deklaruar se Amerika është aleate e Kosovës, por e kishte kritikuar ashpër Kurtin, duke thënë se ai nuk ka instikt të bashkëpunimit.

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës. Por kjo s’do të thotë që do të qëndrojmë krah një individi që nuk e ndan atë instinkt për të bashkëpunuar e për t’u bashkërenduar.”

Ttuej, Escobar ishte shprehur se ShBA-ja ashtu edhe BE-ja ishin krejtësisht konfuzë se pse kishte mungesë koordinimi nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

“Më duhet ta them që jemi në konfuzion total– edhe pse të bashkuar me BE-në – se pse kjo gjë po ndodh. Pse ka mungesë koordinimi dhe fleksibiliteti?” – tha emisari.

Ndërsa ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, kishte theksuar se Amerika ka probleme thelbësore me Kurtin.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë.” – theksoi ambasadori Hill.

Ambasadori amerikan e përmendi edhe përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke thënë se Kurti duhet të bëjë disa ndryshime, nëse dëshiron që ende të llogaritet si mik dhe partner.

Por mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.” – deklaroi Hill.

Lajme të ngjashme