Diskutimi i sotëm i Escobar e Lajçak: Çfarë të presim? - NACIONALE

Diskutimi i sotëm i Escobar e Lajçak: Çfarë të presim?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Miroslav Lajçak pritet që sot të jenë të pranishëm në një diskutim në “Këshillin Atlantik”. Tema, natyirsht që ndërlidhet me Kosovën dhe Serbinë dhe titullohet: “Rinisja e dialogut: Një bisedë me Gabriel Escobar dhe Mirsolav Lajçak”. Çfarë të presim?

Në fakt, pritshmëritë veç se dihen. Dy emisarët në vazhdimësi kanë qenë mjaft të qartë e të drejtpërdrejtë në qëndrimet e tyre.

ShBA-ja po kërkon me çdo kusht deeskalimin e situatës, po ashtu edhe BE-ja po bën thirrje që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq të marrin pjesë në takimin që mbahet këtë javë.

Escobar

ShBA-të në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe një kërkesë e tillë, veçse është shtuar pas tensioneve në veri.

Natyrisht, mund të pritet që thirrjen e njëjtë Escobar të bëjë sot dhe nga “Këshilli Atlantik”.

“Duke e refuzuar këtë obligim, Kosova po e refuzon obligim evropian sepse është marrëveshje edhe mes Kosovës dhe BE-së. Nuk po i kërkojmë të bëjë diçka që nuk duhet ta bëjë, po i kërkojmë ta bëjë brenda kornizave. Çfarë nuk kuptojmë është se pse Qeveria e Kosovës refuzon të pranojë obligimet e saj ligjore. E kemi dëgjuar Kurtin të thotë se do vetëm sundimin e ligjit. Nëse duam të flasim për sundim të ligjit Asociacioni është pjesë e tij.” - ka thënë ai para disa ditësh në nëj diskutim me gazetarët.

Masat ndëshkuese po ashtu, janë një çështje tjetër për të cilën Escobar mund të pyetet, derisa kishte deklaruar se “ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja”.

“Shfrytëzimi i fjalës sanksion është i pavend. Ambasadorët kanë folur për pasoja. Absolutisht, jemi duke kërkuar nga dy vendet të marrin vendimet që çojnë në stabilitet. Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja." – kishte thënë ai.

Vlen të theksohet se kryeministri Kurti edhe më tej se ka pranuar planin tre pikësh të ShBA-së dhe BE-së për deeskalimin e situatës në veri, duke prezantuar në vend të kësaj një plan të tij, pesëpikësh.

Lajçak

“Hapat e ardhshëm” në krejt këtë situatë, janë ata që e dërguar emisarin Lajçak nga Brukseli në Uashington.

Duke dhënë detaje për takimet që pati me ambasadorët e NATO-s dhe ata të vendeve të BE-së, Lajçak para pak ditësh bëri të ditur se “zhvillimet mes dy vendeve janë në radar të të gjitha shteteve”.

"...natyrisht, zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti tensionet e larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veri të Kosovës, ishin në radarin e të gjithëve. Në fillim të kësaj jave, i informova kolegët e mi në Bruksel për vizitën time të fundit të përbashkët në rajon, situatën aktuale dhe rrugën përpara. Gjatë vizitës sime në selinë e NATO-s, u takova edhe me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mircea Geoana për të diskutuar situatën në veri të Kosovës. Të dy ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzimin. Më tej e theksova këtë pikë teksa iu drejtova ambasadorëve të NATO-s dhe BE-së. Do të shkoj në Uashington DC më pas me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe hapat e ardhshëm të menjëhershëm.” – kishte deklaruar ai.

Edhe Lajçak mund të flas për masat e BE-së ndaj Kosovës, por vlen të theksohet se një diskutim të tillë, ai mund të shfrytëzojë edhe për t’u bërë thirrje Kurtit e Vuçiqit që të shkojnë në takimin në Bruksel.

Theksojmë se kryediplomati evropian, Josep Borell kishte deklaruar se ky do të jetë një takim për “menaxhimin e krizës”.

Lajme të ngjashme