Dialogu Kosovë-Serbi dhe zhvillimet e fundit: Escobar dhe Lajçak sot diskutojnë në Këshillin Atlantik - NACIONALE

Dialogu Kosovë-Serbi dhe zhvillimet e fundit: Escobar dhe Lajçak sot diskutojnë në Këshillin Atlantik

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak në organizatën amerikanë të çështjeve ndërkombëtare, Këshillin Atlantik do të diskutojnë për zhvillimet e fundit në rajon, dialogun Beograd-Prishtinë, bashkëpunimin SHBA-BE në rajon dhe strategjitë si dhe mundësitë për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit.

Në njoftimin e “Atlantic Council” bëhet e ditur se ky bisedim fillon në ora 15:00 me kohën tonë, ndërsa njoftimi i këtij bisedimi mban titullin: “Rinisja e dialogut: Një bisedë me Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak”.

Sipas njoftimi, Escobar dhe Lajçak do të ofrojnë njohuri se si SHBA dhe BE synojnë të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme që Serbia dhe Kosova të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme.

Në anën tjetër, Miroslav Lajçak, para një dite ka bërë të ditur se do udhëtojë për në Amerikë për të diskutuar intensivisht për hapat përpara dhe të mënjëherëshëm për çështjen në veri.

"...natyrisht, zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti tensionet e larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veri të Kosovës, ishin në radarin e të gjithëve. Në fillim të kësaj jave, i informova kolegët e mi në Bruksel për vizitën time të fundit të përbashkët në rajon, situatën aktuale dhe rrugën përpara. Gjatë vizitës sime në selinë e NATO-s, u takova edhe me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mircea Geoana për të diskutuar situatën në veri të Kosovës. Të dy ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzimin. Më tej e theksova këtë pikë teksa iu drejtova ambasadorëve të NATO-s dhe BE-së. Do të shkoj në Uashington DC më pas me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe hapat e ardhshëm të menjëhershëm.” – ka shkruar Lajçak.

Ndërkaq, i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, ka kërkuar që Kurti të formojë Asociacionin.

Duke e refuzuar këtë obligim, Kosova po e refuzon obligim evropian sepse është marrëveshje edhe mes Kosovës dhe BE-së. Nuk po i kërkojmë të bëjë diçka që nuk duhet ta bëjë, po i kërkojmë ta bëjë brenda kornizave. Çfarë nuk kuptojmë është se pse Qeveria e Kosovës refuzon të pranojë obligimet e saj ligjore. E kemi dëgjuar Kurtin të thotë se do vetëm sundimin e ligjit. Nëse duam të flasim për sundim të ligjit Asociacioni është pjesë e tij.” – ka thënë ai.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për një takim.

BE ka kërkuar nga Kurti dhe Vuçiq që të pranojnë ftesën pa kushte.

Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje.” – ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Kujtojmë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur edhe më shumë pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga policia serbe.

Gjithashtu, Kosova ka mbyllur pikat kufitare, Jarinje, Bërnjak dhe Merdar, pasi nga ana serbe janë bllokuar rrugët.

Lajme të ngjashme