Protesta në Serbi, bllokohen pikat kufitare në Bërnjak, Jarinje dhe Merdarë - NACIONALE

Protesta në Serbi, bllokohen pikat kufitare në Bërnjak, Jarinje dhe Merdarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjendja e tensionuar në veri të Kosovës, tashmë ka prekur edhe pikat kufitare në mes të Kosvës dhe Serbisë. Pikat kufitare në Jarinjë, Merdare dhe Bërnjak janë bllokuar për shkak të protestave në Serbi. Në lidhje me këtë çështje, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka njoftuar se pikat e tjera mbesin të qarkullueshme. Çka ndodhi?

Situata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar, pas arrestimit të disa serbëve që dyshohen për sulmet ndaj gazetarëve. Një gjë e tillë, i ka irrituar serbët në veri, të cilët kanë protestuar gjatë ditës. Por edhe serbët andej kufrit, pra në Serbi, tashmë kanë nisur protestën, gjë e cila ka bllokuar qarkullimin e autobusëve dhe kamionëve në tri pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Siç shihet në tabelën e MPB-së, këto tri pika të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë janë të mbyllura. Pikëkalimi kufitar në Bërnjak është i bllokuar, ndërsa ato në Jarinje dhe Merdarë janë të bllokuara për kalimin e kamionëve dhe autobusëve.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka kërkuar qytetarëve që të udhëtojnë për në Serbi nga pikat kufitare të tjera.

“Ju njoftojmë se ne territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Nuk është i sigurtë për momentin as kalimi i veturave.” – thuhet në njoftim e MPJD-së, që udhëhiqet nga ministrja Donika Gërvalla.

Disa orë më parë, Nacionale ka raportuar për kthimin e disa autobusëve të kompanisë "Zhitia Turist", e cila po udhëtonte për në Serbi. Nga Merdarja, katër autobusët e kësaj kompanie kanë udhëtuar drejt pikë-kalimit kafitar "Dheu i Bardhë". Në një bisedë për Nacionalen, kjo kompani tha se aryseja pse e ndryshuan kalimin e kufirit ishte për shkak të "rrugës së prishur".

“Informacioni i saktë është se ne e kemi bë nisjen prej Prishtinës në ora 5, kanë qenë dy autobusa, kanë shku deri në Merdarë, tash janë kthy, janë duke kalu kah Dheu i Bardhë. Nuk ka diçka për t'u shqetësuar për udhëtarët, ata janë mirë të gjithë. Vetëm se janë kthy nga Merdarja. Sepse na është thënë se është rruga e prisht, dhe se duhet të presim 4 orë. Ne kemi vendosë me u kthy kah Dheu i Bardhë, që mos me i humb 4 orë” – tha një përgjegjëse nga kompania “Zhitia Turist”.

Ndërsa, komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka dhënë një intervistë për Tanjugun, gazetë serbe që është pro regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Në intervistën e shkurtër, komandanti Italian i KFOR-it e vlerëson situatën si shumë të tensinuar, përkundër se e pranon që në dukje të parë, situata duket e qetë. Megjithatë, vlerëson Ristuccia, situate mbetet shumë shpërthyese.

“Situata tani është shumë e tensionuar, siç kam thënë më parë, dhe është në duke e qetësuar këto ditë, por është shumë shpërthyese.” – tha z. Ristuccia.

Në një prononcim tjetër, z. Ristuccia e ftoi Kosovën dhe Serbinë të heqin dorë nga “retorika e kotë”, duke kërkuar që të bisedohet për uljen e tensioneve.

“I ftoj sërish të dyja palët që të shmangin retorikën e kotë dhe të përballen me këtë sfidë në tavolinë të negociatave, pasi kjo është rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë.” - deklaroi komandanti i KFOR-it, transmeton Reporteri.net.

Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar, posaçërisht pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë nga Serbia. Për më shumë, të premten e kaluar, ka pasur disa sulme ndaj gazetarëve kosovarë të cilët po raportinin në veri të Kosovës. Sot për të tretën herë me radhë, pjesëtarë të komunitetit serb kanë protestuar, përmes një marsh nga qendra e Mitrovicës së Veriut deri në Zveçan, si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve të arrestuar ditëve të fundit nga autoritetet e Kosovës.

Siç raportoi Radio Evropa e Lirë, tubimi është organizuar nga një shoqatë që mbledh sportistë në veri dhe pjesë e këtij marshi kanë qenë edhe mjekët dhe stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicës së Veriut.

Ndërsa ndërkombëtarë kanë vazhduar të insistojnë në nevojën për shtensionim të situatës në veri. Bashkimi Evropian, që është lehtësues i dialogut, është duke tentuar të organizojë një takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajme të ngjashme