Borrell: Do t’i ftoj Kosovën e Serbinë në takim javën tjetër, po tentojmë të kuptojmë si u arrestuan tre policë
Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka konfirmuar se javën tjetër do t’i ftojë në takim Kosovën dhe Serbisë për të “menaxhuar krizën”. Ai ka folur edhe për arrestimin e tre zyrtarëve policorë, duke thënë se janë ende duke tentuar të kuptojnë se çfarë ka ndodhur.
Para takimit të ministrave të Mbrojtjes, Borrell fillimisht e ka falenderuar KFOR-in për punën e bërë në veri të Kosovës, këto ditë kur ajo pjesë ka qenë shumë e tensionuar.
“Këto ditë, bashkëpunimi, dua të falenderoj KFOR-in për atë çfarë kanë bërë në veri të Kosovës, ka pasur një incident, arrestimi i tre policëve nga Kosova.” – u shpreh ai.
Borell tutje tha se janë në kontakt me misionin e KFOR-it, dhe të dyja palët për të kuptuar se çfarë solli në arrestimin e tre zyrtarëve policorë kosovarë nga Policia e Serbisë.
“Po tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur jemi në kontakt me komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët për të parë se çfarë ndodhi, çfarë solli në këtë arrestim.” – deklaroi tutje.
Në fund, Borell konfirmoi se do të ftojë takim mes dy palëve, duke u shprehu si vijon: “Duhet të bëjmë thirrje për qetësi, unë do t’i ftoj të dyja palët për takim të menaxhimit të krizës këtu në Bruksel javën tjetër”.
Plani i Kurtit, “dështim” sipas BE-së
Gjatë ditës së djeshme në një konferencë për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i ktheu përgjigje kryeministrit Kurti për planin e deeskalimit të situatës në veri, duke thënë se “dështon” t’i adresojë pikat kyçe.
Ndërkohë, disa orë më vonë u publikua edhe letra e Borrell për kryeministrin, ku bëhej e qartë se duhej të plotësoheshin pikat e propozuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Si hap i parë, katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës duhet të përkohësisht të punojnë nga lokacione tjera e që nuk janë ndërtesat e komunave. Kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit aktualisht e kanë përfillur kërkesën. Ne besojmë që edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë tuaj, të ndjekin këtë kërkesë. – thuhet në letër ndër të tjera.
Kosovo: After @JosepBorrellF received and read the highly publicised letter from Prime Minister Kurti, he answered, explaining 🇪🇺 expectations and steps needed for true de-escalation. Here is the response in full: pic.twitter.com/HDa2k66hMt
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) June 14, 2023
Borell po ashtu kishte kërkuar që të suspendohen operacionet e policisë së Kosovës në afërsi të objekteve komunavle në veri.
“Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona. Pas shtensionimit të situatës ne jemi të gatshëm të diskutojmë aranzhimet e sigurisë me KFOR-in në katër komunat.” – thuhet më tej në letër.
Mes tjerash, përmendej edhe kërkesa për zgjedhje të reja në veri të Kosovës.
"Ne gjithashtu kemi kërkuar për zgjedhje të parakohshme sa më shpejtë që është e mundur në katër komunat veriore, dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe ia kemi bërë të qartë këtë kërkesë presidentit serb, Vuçiq. Bazuar në legjislacionin e Kosovës, janë disa mënyra për mbajtjen e zgjedhje të reja." - shkruhej në letrën e Borrellit.
5 pikat e Kurtit, që BE po i quan dështim
Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.
Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.
Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.
Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.

