Disa pjesë të Amerikës janë ngrirë, mbi 50 persona kanë vdekur nga vala e akullit
Për shkak të një stuhie të fortë dimri që solli ngrirjen e ajrit arktik mbi Amerikën e Veriut, qyteti i Buffalo, Nju Jork është bërë si një zonë lufte.
Aty sot u konfirmuan 25 vdekje nga moti, 12 më shumë se dje, kur vdiqën 13 persona. Gjithashtu, kjo është gati gjysma e të gjitha vdekjeve të lidhura me motin në Amerikë këto ditë. Mediat amerikane raportojnë se të paktën 53 persona kanë vdekur në të gjithë SHBA-në.
“Kjo është një luftë me nënën natyrë dhe ajo na ka goditur me gjithçka që ka që nga e enjtja”, tha guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul.
Stuhia që shtrihej nga Kanadaja në Meksikë vrau të paktën 50 njerëz në të gjithë vendin, shkruan BBC, dhe zona më e prekur ishte rreth Buffalo, në shtetin e Nju Jorkut.

"Kur shkon në Buffalo, është si të shkosh në një zonë lufte dhe automjetet në anët e rrugëve janë tronditëse. Banorët po përballen me një situatë kërcënuese për jetën, sepse shumë automjete të urgjencës nuk mund të shkonin në zonat më të goditura ose u mbërthyen vetë në dëborë”, tha ajo.
Në mesin e të vdekurve janë dy persona të cilët vdiqën në shtëpitë e tyre pasi ekipet e emergjencës nuk arritën në kohë. Disa ishin të bllokuar në makina për më shumë se dy ditë.
"Kjo do të hyjë në histori si stuhia më shkatërruese në historinë e gjatë të Buffalo, e cila ka luftuar shumë beteja, me shumë e shumë stuhi të mëdha," tha guvernatori.
Një familje me fëmijë të vegjël mbeti në një makinë të mbuluar me dëborë
CBS raporton se një baba me katër fëmijë të vegjël - nga 2 deri në 6 vjeç - duhej të priste 11 orë në një makinë para se të shpëtoheshin në orët e para të mëngjesit të Krishtlindjeve.
Babai thirri 911, Gardën Kombëtare dhe miqtë për ndihmë, por askush nuk erdhi. Ai i shpërqendroi fëmijët e tij, tha ai, duke parë Frozen të Disney dhe duke luajtur me ta.
"Isha në rrugë sepse nuk kisha mundësi t'i lija fëmijët me një dado. Unë jam baba i vetëm. Isha vërtet i pashpresë. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë", tha babai për mediat amerikane, duke shtuar se ia dolën të rrinin ngrohtë sepse nuk e fiku motorin.
Banori i Buffalo, Jeremy Manahan tha se ishte pa energji elektrike për gati 29 orë. “Ka një strehë me ngrohje, por ishte shumë larg për mua. Dhe nuk kisha si të shkoja atje dhe nuk mund të jesh jashtë për më shumë se 10 minuta”, tha ai.

Ditjak Ilunga nga Maryland udhëtoi për në Ontario për të vizituar të afërmit. Ai dhe vajzat e tij u nisën për udhëtim të premten, dhe në të njëjtën ditë SUV-i i tyre u bllokua në Buffalo. Ata kaluan orë të tëra me motorin ndezur, të goditur nga era dhe pothuajse të varrosur në dëborë. Nga ora 4 e mëngjesit të së shtunës, karburanti i tyre pothuajse ishte zhdukur, kështu që Ilunga vendosi të rrezikonte dhe të përpiqej të kalonte stuhinë në një strehë aty pranë.
Ai mbante në shpinë Fatin 6-vjeçar, ndërsa Cindy 16-vjeçare mbajti qenushin e tyre pomeranez, duke ndjekur gjurmët e tij nëpër rrëshqitje. “Nëse qëndroj në këtë makinë, do të vdes këtu me fëmijët e mi”, kujton duke menduar Ilungo. Ai qau kur familja hyri në dyert e strehës. “Është diçka që nuk do ta harroj kurrë në jetën time”, raporton Guardian fjalët e tij.

Priten më shumë viktima
BBC shkruan se më shumë viktima pritet të zbulohen pas reshjeve të dëborës.
Këto janë vdekjet e konfirmuara të lidhura me motin:
- Kolorado: Dy vdekje të lidhura me të ftohtin
- Kansas: Tre persona humbën jetën në aksidente trafiku të shkaktuara nga moti
- Kentaki: Tre persona vdiqën
- Misuri: Një person vdiq pasi makina e tyre rrëshqiti nga një rrugë me akull dhe ra në një përrua të ngrirë
- Ohio: Nëntë persona humbën jetën në aksidente automobilistike të lidhura me motin
- Tenesi: Një vdekje e lidhur me stuhinë
- Wisconsin: Një aksident fatal ndodhi për shkak të motit të dimrit
- Vermont: Një grua në Castleton vdiq pasi një pemë ra në shtëpinë e saj

Ky mot do të zgjasë edhe për disa ditë
Sinoptikanët presin që moti në SHBA të qetësohet tani, por ata ende këshillojnë kundër udhëtimeve jo thelbësore.
Vdekje të lidhura me stuhinë u raportuan gjithashtu në Vermont, Ohio, Missouri, Wisconsin, Kansas dhe Kolorado. BBC shkruan se temperatura në Florida ra aq shumë sa iguanat ngrinë dhe ranë nga pemët.
Më së shumti u godit nga i ftohti shteti perëndimor i SHBA-së, Montana, ku temperaturat zbritën deri në -45 gradë Celsius. /Nacionale/
