Diplomati austriak: Marrëveshja e Ohrit ka vlerë ndërkombëtare, BE-ja të ushtrojë trysni mbi Beogradin
Diplomati austriak, Wolfgang Petritisch, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar në Ohër ka validitet ndërkombëtar.
Sipas tij, pas zgjedhjeve të reja në BE, duhet të krijohet një ekip i ri i cili duhet të bëj presion mbi Beogradin për të ecur përpara.
“Si të them, si një njohës i situatave në Ballkan dhe Evropë, më shumë jam skeptik. Për shembull, ju i dini vështirësitë që Bullgaria po ia nxjerr Maqedonisë së Veriut, duke e bllokuar fillimin e negociatave për anëtarësim, me kushtëzimin e njohjes zyrtare të gjuhës bullgare. Kjo është një dëshmi, se edhe brenda Bashkimit Evropian ende nuk jemi të gatshëm të respektojmë të gjitha dallimet, që ekzistojnë mes nesh, qofshin ato të vogla apo të mëdha. Ose rasti i Serbisë, që po vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Kosovës dhe kjo çështje mund të zgjidhet vetëm përmes ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian. Prandaj, unë them se, sa më shumë që të ketë përparim në dialog, aq më afër qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve do të jemi. Siç e dimë, në vitin 2024, ku jemi tash, kemi zgjedhjet në BE dhe ato në SHBA. Duke u nisur nga kjo, nuk besoj se do të ketë përparime të dukshme në dialogun për normalizim. Zoti Lajcak, gjithashtu përfundon mandatin dhe kjo do të thotë që Bashkimi Evropian, duhet të caktojë një ekip të ri për lehtësimin dhe ndërmjetësimin e dialogut”, tha diplomati austriak për RTK-në.
“Të shpresojmë që në vitin 2025 të ecim përpara, ndonëse kam frikë se mund të ketë edhe kthim prapa në procesin e dialogut. Është e rëndësishme të theksojmë se gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në dhjetë vitet e kaluara ka pasur përparime të mëdha. Kjo ka ndodhur edhe kohët e fundit, siç është marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të targave. Pa dyshim, ka ndryshime substanciale, por sidoqoftë, është e pamjaftueshme. Shpresoj se ekipi i ri i Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut, do të ushtrojë një trysni të madhe tek Beogradi për të shkuar përpara, sepse tashmë kemi një marrëveshje dhe ajo duhet të zbatohet!”, deklaroi ai.
Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar në Ohër ka vlefshmëri ndërkombëtare.
“Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare. Këto marrëveshje, kjo në Bruksel dhe Ohër, ashtu si më pare, janë të vlefshme, dhe unë besoj se Brukseli do të zhvillojë takime të tjera me Beogradin, që ta detyrojë të njohë marrëveshjet dhe zotimet që ka marrë përsipër. Kjo marrëveshje tashmë është pranuar, sepse fjala e një presidenti apo një kryeministri, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi i tij”, tha ai.
“Mendoj se duhet parë faktin se në veri të Kosovës janë komunat me shumicë serbe dhe me ato, mendoj unë, duhet bashkëpunuar dhe përkrahur, si për shembull në çështjet ekonomike dhe infrastrukturore, siç është ambienti, përkatësisht menaxhimi i mbeturinave, në çështje që lidhen me kulturën, shkollimin, gjuhën, historinë, ruajtjen e traditës etj.Në këtë çështje, atyre duhet dhënë të drejtat, por ne e dimë gjithashtu se Asociacioni nuk mund të ketë të drejta që dëmtojnë statusin dhe pengojnë zhvillimin e shtetit”, deklaroi Petritisch.