Diplomacia e zv.kryeministrave Gërvalla e Bislimi për mosnjohjet: “S’kemi potencial”, “s’i imponojmë”
Tashmë kanë kaluar dy vite prej kur Kosova s’e ka marrë asnjë njohje nga vendet e tjera, duke përfshirë këtu edhe nga ato pesë të Bashkimit Evropian. Si po e përballojnë krejt këtë situatë dy zëvendëskryeministrat, Donika Gërvalla e Besnik Bislimi? – Po thonë se nuk kanë potencial, kapacitet, e as nuk mund të imponojnë vullnetin e shteteve tjera. Çka deklaruan ata?
Natyrisht që shumë prej deputetëve, gazetarëve, dhe në përgjithësi opinionit publik kanë një pyetje për qeverinë Kurti – kur mund të presim njohje të tjera?
Njohjet nga Spanja, Greqia, Sllovakia, Qipro dhe Rumania, pesë vendet anëtare në BE, janë ato më të nevojshme për shtetin aktualisht.
Si po e arsyetojnë mungesën dy zv.kryeministrat?
Për një gjë të paktën sa i përket kësaj situate, ministrja Gërvalla dhe kryenegociatori Bislimi duket të kenë pajtim – nuk mund të ndikojnë në vendimin e këtyre shteteve, ndonëse puna e tyre është që të ndikojnë në këto qëndrime.
Para disa ditësh, derisa po raportonte në Komisionin për Punë të Jashtme, Bislimi foli edhe rreth kësaj çështje, duke pranuar se nuk kanë “kapacitet, as potencial” për të ndikuar vendimin.
“Janë edhe dinamikat e brendshme të secilit shtet, dhe mendoj që ne nuk e kemi potencialin, kapacitetin…por BE-ja ka marrë obligime në rrugëtimin tonë drejt integrimeve evropiane, dhe në rast se integrimet pengohet na këto shtete, i bie që BE-ja nuk i ka përmbushur këto pika.” - ka thënë ai.
Megjithatë, Bislimi dha një lajm të rëndësishëm, ku sipas tij, “menjëherë pas datës 18 mars, vendet mike të Kosovës kanë mbajtur takime me vendet mosnjohëse jo vetëm në BE”.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, njëherit zëvendëskryeministre, Donika Gërvalla, vendosi “të jetë e sinqertë” derisa foli për mungesën e njohjeve.
“Me pesë shtetet jo njohëse, dua të jem shumë e sinqertë, progres mund të arrijmë vetëm atëherë kur bashkë me partnerët tanë i adresojmë. Nuk ka munguar oferta nga ana jonë, kemi shtete jo njohëse me të cilat kemi shkëmbim tregtar e kulturor, por nuk është e mjaftueshme për hapin final.” – tha ajo.
Disi ngjashëm me Bislimin, edhe kryediplomatja deklaroi se “nuk imponojnë vullnetin e tyre te asnjë shtet tjetër”.
“Greqia pres që së shpejti mund të lëviz drejt njohjes, nuk shoh më asnjë lloj dileme në atë se a janë shtete partnere Greqia dhe Kosova, por natyrisht që ne nuk i imponojmë vullnetin tonë asnjë shteti të pavarur sovran.” – ka thënë ajo.
S’ka njohje
Në dy vitet e fundit Kosovës nuk i ka ardhur as edhe një njohje e re.
Njohja e fundit shtetit të Kosovës i ka ardhur në muajin shkurt të vitit 2021 nga shteti i Izraelit, njohje kjo që erdhi pas marrëveshjes me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, të cilën Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar shumë.
Një gjë e tillë vërtetohet edhe në faqen zyrtare të ministrisë së Punëve të Jashtme, ku data 1 shkurt 2021 figuron për njohjen e fundit nga izraeli.
Ndërkohë, pikërisht të shtunën në një intervistë për Nacionalen, ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti konsideroi se vendi ka mbetur pa politikë të jashtme, duke përmendur edhe mungesën e njohjeve.
“Kosova është pothuajse pa politikë të jashtme. Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje në këto dy vjet qeverisje. Asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.” – tha ai.


