MPJ-ja e Gërvallës në dy vite: Asnjë njohje, asnjë anëtarësim të rëndësishëm - NACIONALE

MPJ-ja e Gërvallës në dy vite: Asnjë njohje, asnjë anëtarësim të rëndësishëm

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Ardhjen në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e nisi me shkarkimin e 13 ambasadorëve. Ky, realisht mund të jetë një prej vendimeve të saj që mbahet mend më së shumti për këto dy vite. Në anën tjetër, gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur njohje të reja, e as anëtarësime nëpër organizata ndërkombëtare, por aplikim në Këshillin e Evropës. Çka ka ndodhur për dy vjet në MPJ?

Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës e drejton Donika Gërvalla – Schwarz. Jo edhe aktualisht. Këto ditë ajo ndodhet në Portugali.

Gërvalla ndërkaq, ka pasur disa takime atje, derisa ka qenë në mungesë gjatë periudhës kur shefi i saj, Albin Kurti zhvilloi një prej takimeve, thuajse, më të rëndësishme në qeverisjen e tij, atë të Ohrit ku edhe arriti marrëveshje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Çka s’ka?

Nuk ka njohje. Në dy vitet e fundit Kosovës nuk i ka ardhur as edhe një njohje e re.

Njohja e fundit shtetit të Kosovës i ka ardhur në muajin shkurt të vitit 2021 nga shteti i Izraelit, njohje kjo që erdhi pas marrëveshjes me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, të cilën Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar shumë.

Një gjë e tillë vërtetohet edhe në faqen zyrtare të ministrisë së Punëve të Jashtme, ku data 1 shkurt 2021 figuron për njohjen e fundit nga izraeli.

Si ministre e Punëve të Jashtme, Gërvalla nuk flet shpesh për mungesën e njohjeve, megjithatë, në dhjetor të vitit që lamë pas ajo ishte deklaruar në “Kallxo Përnime” rreth kësaj çështje, duke thënë se janë fokusuar më shumë në “pesë vendet Brenda BE-së që nuk e njohin ende Kosovën”.

Tani ne jemi përqendruar shumë në 5 njohjet pa dashur t’i injorojmë pjesën tjetër të botës, por 5 njohjet brenda BE janë tepër të rëndësishme për ne, sepse në fund të fundit mund ta na paraqesin pengesa serioze në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane dhe atyre në NATO.” – kishte thënë ajo.

Anëtarësimet?

Nuk ka as anëtarësime në organizata ndërkombëtare e institucione të BE-së. Në maj të vitit 2022, Ministria e Punëve të Jashtme kishte ndërmarrë një hap për t’u duartrokitur, aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ministrja Gërvalla kishte dorëzuar aplikimin, duke shprehur shpresën për të marrë një përgjigje pozitive.

Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.

Gati një vit më vonë, dhe në prag të takimit të Komitetit të Ministrave, gjasat që Kosova të pranohet në këtë institucion të BE-së, janë shumë të vogla.

Për një çështje të tillë madje, gazeta Nacionale kishte raportuar gjatë javës së kaluar.

Drejtori i Organizatës Joqeveritare “Qendra Evropiane për të Drejtat e Njeriut” në Strasburg, Isuf Halimi, për Nacionalen kishte treguar tri prej pengesave të mëdha të Kosovës në këtë proces.

“Çështja e Kosovës për me u vendosë në agjendë është pak e komplikuar. Për arsye të ndryshme, arsyeja e parë është se MPJ nuk ka trup koordinues, nuk ka grup punues për çështjen e Kosovës. Gjëja e dytë, nuk ka plan të veprimit, nuk ka strategji. Qëto tri janë pengesat e mëdha. Islanda, Irlanda, Lituania shtete që janë në udhëheqje, janë shtete që nuk kanë kontakt me Kosovën.” – kishte thënë ai.

Gjatë krejt kësaj kohe, ka pasur shumë reagime në lidhje me këtë çështje, madje një prej mediumeve të njohura “Euroneës Serbia”, kishte raportuar se disa shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ShBA-ja u kishte kërkuar që mos ta vendosin çështjen në agjendë, derisa Kosova s’e pranon formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme të ngjashme